Tiranë-Çmimet e eksporteve shqiptare të industrisë nxjerrëse pësuan një rënie me 2% në tremujorin e fundit të vitit të 2011.
Sipas infomacionit të Institutit të Statistikave, mineralet metalike pësuan një rënie të çmimit të eksportit me 6.7%, ndërsa produktet e industrive të tjera nxjerrëse pësuan rënie të çmimeve me 1.2%.
Industria nxjerrëse duket se ka vuajtur konjkuturën rënëse të çmimeve në bursat ndërkombëtare, ndërkohë që më pozitive ka qënë ecuria e çmimeve të eksporteve në industrinë përpunuese, që për tremujorin e katërt 2011 u rritën me 0.4%.
Industria e produkteve ushqimore dhe pijeve njohu rritjen më të lartë të çmimeve, me 1.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Industria e përpunimit të metaleve, që sipas Instat zë edhe peshën më të madhe në indeksin e çmimeve të eksportit, njohu një rritje të çmimeve me 0.1%, por një tjetër degë e rëndësishme, industria tekstile, pësoi rënie me -1.1%.
Një ndër rreziqet që cënon ekonominë shqiptare në këtë fazë është pikërisht ndikimi i eksporteve nga kriza e vendeve partnere.
Rënia e kërkesës në këto tregje mund të sjellë çmime më të ulëta dhe të ardhura më të pakta për industritë eksportuese shqiptare. Ulja e çmimeve të eksportit për disa sektorë të rëndësishëm eksportues, industria nxjerrëse dhe ajo tekstile mund të jetë sinjal shqetësues në këtë drejtim. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 March 2012 21:00