Tiranë-Kredia per blerje pasurish të paluajtshme gjatë vitit 2011 u rrit me vetëm 0.4%. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë konfirmojnë ecurinë e ngadaltë të kreditimit të individëve në segmentin më të rëndësishëm, atë të blerjes së pronave.
Rritja e kredisë vetëm pak mbi nivelin e stanjacionit mbështet konkluzionet se blerësit shqiptarë janë të druajtur dhe të tërhequr për të kryer shpenzime në vlera të mëdha, përfshirë këtu edhe investiminin më të rëndësishëm, atë në banesa.
Banka e Shqipërisë ka vërejtur se sjellja konsumatore është e ndikuar nga pasiguria për të ardhmen, çka i shtyn individët drejt kursimeve. Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët në fund të vitit 2011 kishte vlerën e 100.5 miliardë lekëve, vetëm 400 milionë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Megjithë përpjekjete shumta të Bankës Qendrore, kredia në euro jo vetëm vazhdon që të mbizotërojë kreditimin për blerjen e pronave, por është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. 77% e kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme është dhënë në euro, ndërkohë që një vit më parë kreditimi në euro zinte 70% të totalit.
Për shkak të interesave më të ulëta, individët vazhdojnë të preferojnë euron, duke marrë përsipër edhe rrezikun e kursit të këmbimit. Rritja modeste e kredisë është një tregues negativ edhe për ecurinë e tregut të pronave. Së bashku me remitancat, kredia bankare është mjeti kryesor i financimit të blerjes së banesave.
Sipas të dhënave të Instat, deri në fund të tremujorit të tretë, sektori i ndërtimit në vend njohu një rritje vjetore me 0.7%, megjithatë duket se veçanërisht në pjesën e parë të vitit rritja është mbështetetur nga investimet publike në infrastrukturë, ndërkohë tregu i ndërtimeve private duket larg rimëkëmbjes. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 March 2012 16:00