Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku, tha për herë të parë këtë vit se perspektiva evropiane e Kosovës materializohet me një ofertë konkrete, që është studimi i fizibilitetit për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit.
Ndonëse Kosova në katër vitet e saj si shtet i pavarur dhe sovran ka shënuar rritje në fushën e ndërtimit të kapaciteteve institucioneve, megjithatë EULEX-i shihet si instrument garanci për vendet e Bashkimit Evropian.
Kështu tha ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku pas takimit për përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.
“Unë nuk e shoh EULEX-in si pengesë. Përkundrazi, prezenca e EULEX-it do të jetë ndihmesë për institucionet e Kosovës për t`i adresuar sfidat që dalin nga udhërrëfyesi i liberalizimit të vizave dhe studimi i fizibilitetit. EULEX-i është instrument garancë për vendet anëtare të BE-së për progresin dhe për hapat përpara që do të shënojmë”, tha Çitaku.
Përfaqësuesi i BE-së për Kosovën, Samuel Zhbogar, e vlerësoi të suksesshëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke e quajtur teknik.
Ndërsa, sa i paralajmërimit të Serbisë për organizimin e zgjedhjeve edhe në veri të Kosovës, Zhbogar tha:“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që po vazhdon në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, është për çështje teknike. Janë arritur disa marrëveshje dhe ka qenë një proces i suksesshëm mund të them. Çfarë i duhet Kosovës dhe Serbisë në këtë rast është dialogu për të arritur qëllimet e integrimit”-thotë Zhbogar.
Zhbogar, ndër të tjera tha se Kosova është në rrugën e duhur të integrimit evropian. Sipas tij, marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së janë shtuar sidomos muajve të fundit, duke u hapur tashmë dyert e bllokuara të BE-së për Kosovën.
Thursday, 08 March 2012 13:21