Lajme Shqip Tuesday, 06 March 2012 19:25

Prishtinë-Marrëveshja për përfaqësim rajonal është e mirë dhe i mundëson Kosovës që vetë të flasë në emër të saj si shtet. Ky është vlerësimi që bënë në një shkrim autorial Michael Wood, udheheqesit te ekipit ligjor te Kosoves pranë Gjykatës Ndërkombetare të Drejtësisë.

Udhëheqësi i ekipit ligjor të Kosovës pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësise Michael Wood shkruan se marrëveshja e përkohshme për përfaqësimin rajonal të Kosovës, e pajtuar brenda dialogut të BE-së duket shumë mirë për Kosovën.

Për herë të parë, sipas tij,  Serbia është pajtuar që Kosova – sikur edhe shtetet tjera të rajonit – të marrë pjesë “në emër të vet dhe të flasë për vete në të gjitha takimet rajonale”. Më tutje Wood thekson se përmbajtja në fusnotë e të dyjave: Rezolutës 1244 dhe Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është e rëndësishmë, sepse sipas tij GJND-ja ishte e qartë se nuk ka asgjë në Rezolutën 1244 që e ndalon shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Wood thotë se fusnota kështu e njeh se Pavarësia e Kosovës është në pajtim të plotë me 1244-shin.

Në shkrimin e tij të titulluar “Një rezultat i mirë për Kosovën”, Michael Wood thotë se nga këndvështrimi ligjor, nuk ka asnjë arsye të mendohet se referencat ndaj 1244-shit lënë të kuptohet se Pavarësia e Kosovës është disi e jashtëligjshme apo e  papërfunduar.

Ai e arsyeton këtë me faktin se në arritjen e konkluzionit të saj, GJND-ja ka shqyrtuar argument të gjera të paraqitura nga Serbia dhe ata që përkrahin Serbinë që avokonin për një interpretim shumë të ndryshëm të 1244-shit, më saktësisht, se ajo e përjashton Pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, sipas Wood, gjykatësit ndërkombëtar me vendosmëri i refuzuan argumentet e Serbisë, dhe e bënë këtë me shumicë.

Populli i Kosovës dhe përkrahësit e tij në mbarë botën mund të jenë shumë të kënaqur me rezultatin e arritur në Bruksel. Me gjuhën e pajtuar në dialogun e BE-së, të gjithë të interesuarit tani e kanë pranuar se 1244-shi duhet kuptuar ashtu si e ka kuptuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, përfundon Micheal Wood. (LajmeShqip.com)