Lajme Shqip Tuesday, 06 March 2012 17:20

Inflacioni vjetor për muajin Shkurt zbriti në 0.6%, duke shënuar kështu vlerën më të ulët të regjistruar prej vitesh. Në veçanti, inflacioni për grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, që zë peshën kryesore në shportën e çmimeve, ra në nivelin -1.2%, çka tregon se çmimet për këtë grup ishin më të ulëta se një vit më parë.

Rënia e indeksit të çmimeve të konsumit është një sinjal shqetësues dhe tregues i drejtpërdrejtë i rënies së kërkesës së brendshme në ekonomi. Nëse rënia vazhdon me ritmet e tre muajve të fundit, ekonomisë i kanoset rreziku i deflacionit, që për herë të fundit u regjistrua në vitin 1999. Sipas teorisë ekonomike, rënia e çmimeve është e dëmshme sepse mund të jetë pikënisja e të ashtuquajturës spirale deflacioniste.

Ulja e çmimeve çon në ulje të prodhimit, çka transmetohet në ulje të pagave dhe të punësimit dhe, si rrjedhojë, në një ulje të mëtejshme të kërkesës në ekonomi. Vetë rënia e kërkesës çon në ulje të mëtejshme të çmimeve, duke kriijuar kështu një rreth vicioz dhe duke paralizuar aktivitetin ekonomik.