Shumica e bankave shqiptare e kanë mbyllur edhe vitin 2011 me fitim. Të dhënat e paaudituara të Shoqatës Shqiptare të Bankave treguan se megjithë vështirësitë në rritje me të cilat po përballet ekonomia, bankat në shumicën e tyre dhe, veçanërisht ato më të mëdha, vazhdojnë të regjistrojnë fitime të mëdha dhe madje në rritje.
Raiffiesen Bank e mbylli vitin me një fitim rekord me 6.9 miliardë lekësh dhe me një rritje prej 30% krahasuar me statistikat e raportuara për të njëjtën periudhë të një viti më parë. BKT arriti një fitim prej 2.9 miliardë lekësh, me një rritje prej afro 12%. Intesa San Paolo deklaroi një fitim prej 2.5 miliardë lekësh, me një rritje prej afro 32% krahasuar me vitin 2010. Credins Bank raportoi një fitim prej afro 1.7 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 141%. Edhe Tirana Bank ishte fitimprurëse në vlerën e 1.3 miliardë lekëve, megjithë një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë. Rezultat financiar pozitiv kanë raportuar edhe Pro Credit, Societe Generale, NBG Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare dhe Veneto Banka. Emporiki, Banka e Kreditit dhe Fibank janë të vetmet që kanë deklaruar aktivitet me humbje për vitin 2011.
Ndërkohë, Alpha Bank, Banka e Bashkuar e Shqipërisë dhe Union Bank nuk i kanë publikuar rezultatet e tyre. Një tjetër lajm i mirë për sistemin është frenimi i rritjes së kredive me probleme. Në fund të muajit Dhjetor, norma e kredive me probleme ishte 18.8%, me një rritje prej 0.1% krahasuar me Nëntorin.
Ndonëse përqindja e kredive me probleme është në vlerat më të larta historike, në tremujorin e fundit të vitit 2011 rritja ka qënë mjaft e ngadaltë, çka shton shpresat për një stabilizim të këtij treguesit gjatë vitit 2012. Në fund të vitit 2011, mjaftueshmëria e kapitalit ishte 15.6%, 3.6 pikë përqindjeje sipër minimumit të detyrueshëm rregullator.
Tuesday, 06 March 2012 15:30