Lajme Shqip Tuesday, 06 March 2012 12:50

Tiranë – Sipërmarrësit shqiptarë, që vitet e fundit po rrisin kontratat me biznesin  kinez edhe përmes pjesëmarrjes së përvitshme në Panairin kinez më të madh të Import-Eksport të Cantonit, i cili sivjet organizon edicionin e 111-të, kanë ndikuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare Shqipëri- Kinë.

Mbi zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, ku pavarësisht krizës ekonomike globale, ekonomia kineze shënon  rritje vjetore të ndjeshme, Dhoma e Tregtisë së Tiranës (DHTT), në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, diskutuan sot në një forum biznesi, ku merrte pjesë një delegacion zyrtar nga Panairi i import-eksporteve të Cantonit, i kryesuar nga kryetari i Qëndrës së tij, Vang Runshing.

Kreu i DHTT-së, Nikolin Jaka, u shpreh mbi mundësitë që ekzistojnë në Shqipëri për prezantimin e prodhimeve kineze në panaire të ndryshme në vend.

“Shqipëria i ka mundësitë që të afrojë një zonë të lirë kineze, ka mundësi të mëdha portuale për zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit si në tregun vendas, edhe në shërbim të tregut rajonal”, tha Jaka.

Këshilltari ekonomik në Ambasadën kineze në Tiranë, He Binghua, vlerësoi rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve në fushat ekonomike dhe theksoi rëndësinë që ka njohja nga biznesi shqiptar i prodhimeve kineze, sikurse janë edhe ato që promovohen në Panairin e Cantonit, që do të hapet në muajin prill.

Kryetari i delegacionit të këtij panairi, Runshing, prezantoi pavionet kryesore të tij të importit, eksporteve, etj. Panairi i Cantonit në Guanzhou është hapur për herë të parë në vitin 1957.

Kina që është anëtare e OBT-së nga viti 2001, ka rritur ndjeshëm marrëdhëniet tregtare me gjithë botën. Sipas Vang Runshing, në 10 vjet, marrëdhëniet ekonomike me botën janë rritur ndjeshëm. Kina eksporton çdo vit mallra në një vlerë totale prej 750 miliardë usd dhe ka hapur 14 milionë vende të reja pune, tha ai.

“Shkëmbimet tregtare janë rritur edhe me Shqipërinë dhe në vitin 2011 ato arritën në vlerën 440 milionë usd, ku eksportet u rritën 41.3% dhe importet me 5.5%”, tha Rungshing, i cili vlerësoi potencialet e mëdha që ekzistojnë për t’u zhvilluar akoma dhe më tej.

Duke çmuar praninë vjet të 105 sipërmarrësve shqiptarë në këtë panair, që lidhën kontrata me vlerë 418 milionë usd, ai u shpreh se “jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha lehtësitë për lidhjen e kontratave me biznesin kinez për çdo produkt që do të duan sipërmarrësit shqiptarë”.

Runshing tha gjithashtu se tregu kinez është mjaft i interesuar sidomos për prodhimet ushqimore shqiptare, pasi afrojnë mjaft mirë me shijen e gastronomisë kineze, çka krijon një mundësi të mirë për rritjen e tregtisë në këtë fushë në të ardhmen.

Panairi i import-eksportit të Cantonit, që shtrihet në një sipërfaqe prej 1.16 milionë m2, organizohet dy herë në vit, ku prezantohen mbi 150 mijë prodhime kineze nga 24 mijë fabrikat e njohura nga fusha të ndryshme, sikurse janë ato tekstilet, ushqimore, High-tech, Hardware, tradicionale, fjala e fundit e teknologjive  të Informacionit, etj.

Çdo vit në panair tërhiqen mbi 200 mijë blerës profesionale nga 210 vende të botës, të tërhequr nga cilësia dhe çmimet e ulta, në raport me vende të tjera të industrializuara, një karakteristikë e fortë e mallrave kineze.