Bankat janë kreditorët kryesore të qeverisë shqiptare, me rreth 70% të totalit të borxhit të brendshëm. Vetëm Raiffeisen Bank, zë 35% të portofolit të bonove dhe obligacioneve qeveritare. E thënë ndryshe, gjysma e borxhit të sektorit bankar financohet nga një bankë e vetme.
Kjo është rrjedhojë e natyrshme e faktit që Raiffeisen është edhe banka më e madhe depozituese në vend, me 30% të depozitave të publikut. Pjesa e Raiffeisen është gjithsesi në rënie, sepse deri tre vjet më parë financonte rreth 37% të borxhit. Në ankandet e fundit, qeveria ka hasur vështirësi serioze për të siguruar gjithë borxhin e kërkuar në tregun vendas.
Bankat që janë pjesë e grupeve të huaja bankare kanë vendosur të ulin gradualisht ekspozimin e tyre ndaj borxhit publik dhe kjo ka sjellë ulje të ofertës në treg. Pjesa shumë e lartë që zënë bankat në tregun e letrave të borxhit publik shpjegon varësinë e qeverisë ndaj qëndrimit të bankave dhe rritjen e interesave të bonove në muajin shkurt. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, individët zënë vetëm 12.2% të totalit të borxhit publik.
Nisma e fundit e Raiffeisen Bank, për hapjen e fondit të investimeve Raiffeisen Prestigj, synon pikërisht të rrisë pjesën e individëve dhe të anashkalojë kufizimet që ju janë vendosur bankave. Individët mund të investojnë në bono dhe obligacione përmes këtij fondi. Banka e Shqipërisë zotëron rreth 14% të borxhit publik, megjithatë ndikimi i saj është i kufizuar për disa arsye.
Banka Qendrore nuk mund të marrë pjesë në ankande me oferta konkurruese, por i blen bonot me interesin mesatar të ofertave të tjera të pranuara. Banka e Shqipërisë nuk mund të blejë letra borxhi me maturim më të gjatë se 1 vit, pra, mund të investojë në bono, por jo në obligacione.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë mund të investojë në bono vetëm paratë e përfituara nga maturimi i një instrumenti borxhi të mëparshëm, çka e kufizon mundësinë për të rritur pjesën e saj në tregun e borxhit publik.
Monday, 05 March 2012 16:00