Prishtinë- Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës nuk mund të negociohet, tha sot kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në Kuvendin e punës të partisë së parë të pluralizmit politik kosovar, të themeluar nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova.
Mustafa tha se shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe disa komuna me shumicë serbe në veri të vendit, janë sfida për forcimin e pavarësisë dhe të shtetndërtimit.
“LDK-ja angazhohet për zgjidhjen me dialog të problemeve me fqinjët, pa e prekur sistemin kushtetues, rregullimin e brendshëm dhe kufijtë, duke ofruar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët”, tha ai.
Mustafa kujtoi se, sivjet Lidhja Demokratike e Kosovës feston 23 vjetorin e themelimit, duke ndjekur me besnikërinë më të madhe vlerat e qëndrueshme të Programit të saj nga Kuvendi Themelues i datës 23 dhjetor të vitit 1989.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, prej themelimit dhe deri më sot, është parti e orientuar drejt Perëndimit, parti evropiane, që kultivon miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai duke shtuar se “Moto e Programit Politik të LDK-së është ‘Për një Kosovë Evropiane'”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 March 2012 19:21