Moskë – Kryeministri rus Vlladimir Putin premtoi dje se do të vazhdojë me zbatimin e reformave liberale në vend nëse zgjidhet president të dielën, dhe i hodhi poshtë druajtjet e opozitës se do të vendosë sistem më të ashpër politik.
“Pse do ta bënim atë? Përkundrazi, presidenti Dmitrij Medevdev sapo solli një pako të tërë propozim-ligjesh në Parlament me të cilën duhet të liberalizohet sistemi jonë politik”, tha Putin në intervistën për mediat perëndimore, me redaktorët e të cilëve u takua në rezidencën Novo-Ogarjovo në afërsi të Moskës.
“Për shkak se druhet nga një gjë e tillë? Nuk planifikojmë asgjë të ngjashme. Përkundrazi, qëllimi i propozimeve tona është të fillojmë dialog me të gjithë, si me ata që na mbështesin, ashtu edhe me kritikuesit”, tha Putin.
Ai megjithatë theksoi se nuk do t’i plotësojë kërkesat që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse opozita konsideron se zgjedhjet të cilat u mbajtën në dhjetor nuk kanë qenë korrekte dhe i kritikoi lëvizjet opozitare, për shkak, siç tha, të mungesës së propozimeve konkrete.
Kryeministri rus pohoi se nëse fiton në zgjedhjet e 4 marsit do ta emërojë shefin e tanishëm të shtetit Medvedev për kryeministër.
Në lidhje me çështjet e jashtme politike, Putin i bëri thirrje Perëndimit që ta detyrojë opozitën siriane të bjerë dakord për negociata me Qeverinë në Damask, duke theksuar se Rusia angazhohet që të gjitha palët në konfliktin e armatosur në Siri ta ndërpresin urgjentisht zjarrin dhe të fillojnë dialogun.
Lidhur me Iranin, Putin shfaqi shpresë se autoritetet iraniane tërësisht do ta ripërtërijnë bashkëpunimin me Agjencinë ndërkombëtare për energji bërthamore, duke theksuar se është e nevojshme që Teheranit t’i mundësohet realizimi i programit bërthamor për qëllime paqësore, nën kontrollin e ANEB-it.
Ai shtoi se Rusia do të bëj gjithçka që është në fuqinë e saj, që të mos vijë deri te konflikti ushtarak në dhe rreth Iranit.
Lidhur me marrëdhëniet me SHBA-në, Putin deklaroi se rindërtimi i bashkëpunimit bilateral ka dështuar në pjesën e cila ka të bëjë me mbrojtjen antiraketore, por se bashkëpunimi ka qenë i frytshëm në sferën ekonomike.
Friday, 02 March 2012 10:35