Kreditimi për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2011 u zgjerua me rreth 59 miliardë lekë, ose me 12.2%. 
Statistikat zyrtare treguan se rritja e kreditimit rezultoi në linjë me projeksionet e Bankës Qendrore dhe në nivele pothuajse të njëjta me vitin 2010.
Siç bëri dje të ditur guvernatori Fullani, për sektorin privat rritja e kredisë ishte rreth 10.4%, ndërsa diferenca e rritjes i atribuohet kredive të marra nga ndërmarrjet publike dhe veçanërisht nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare.
Ndërkaq, për muajin Janar të këtij viti portofoli i kredisë pësoi një rënie të lehtë, por që i detyrohet një tendence pak a shumë të natyrshme sezonale. Në kontekstin rajonal dhe europian, kjo masë e rritjes së kredisë duhet interpretuar pozitivisht.
Rritjet vjetore prej afro 50% të viteve 2006 dhe 2007 në këtë situatë nuk do të ishin një bazë krahasimi realiste. Shumica e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Europës Juglindore gjatë tre viteve të fundit kanë regjistruar rënie të kreditimit të ekonomisë ose rritje në një masë shumë të ulët.
Shqipëria po mban ritme pozitive të rritjes së kredisë dhe kjo është një shenjë se ekonomia, pavarësisht se është përkeqësuar, e ruan gjallërinë. Sistemi bankar, në tërësinë e tij, nuk e ka humbur aftësinë kredituese, megjithë shtimin e huave me probleme.
Këtu duhet konsideruar edhe fakti që shpërndarja e kreditimit ka qënë e pabarabartë mes bankave. Bankat shqiptare dhe në përgjithësi ato që e financojnë huadhënien me burime të brendshme kanë vazhduar të jenë dinamike dhe kanë regjistruar rritje më të lartë se mesatarja e sistemit.
Përkundrazi, ato banka që janë mbështetur në linjat e huaja të financimit e kanë tkurrur kreditimin dhe kjo ka rezultuar me një ulje të ofertës në treg.
Të paktën në teori, nëse katër apo pesë banka të veçanta nuk do të frenoheshin nga problemet e bankave mëmë, rritja e kredisë për ekonominë mund të kishte qënë potencialisht edhe më e madhe.
Thursday, 01 March 2012 17:30