Tiranë – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani njoftoi të mërkurën se, Këshilli Mbikqyrës i BSH-së, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 4.5% si rezultat i treguesve ekonomik që kanë shënuar rritje gjatë tremujorit të fundit. 
Në një konferencë për shtyp, Fullani tha se, inflacioni në muajin janar shënoi shifrën 1.4%, me një reduktim të lehtë 0.1% krahasuar me muajin paraardhës, brenda objektivit të BSH-së.
Duke prezantuar të dhënat më të fundit të raportit të politikës monetare, Guvernatori bëri me dije se, ritmet e rritjes së ekonomisë u përmirësuan me 2.6% në tremujorin e fundit, mbështetur kjo nga industria dhe sektorët e shërbimit. Sipas tij, rritja ekonomike nxitet nga kërkesat e huaja, ndërkohë që kërkesa e brendshme mbetet e ngadaltë.
Sistemi bankar në vend, garantoi ai, është i mirëkapitalizuar, likuid dhe i gatshëm për t’iu përgjigjur kërkesave tregut. Gjithashtu, kreu i BSH-së ka theksuar se, deficiti buxhetor ka qëndruar brenda parametrave të kërkuara ndërsa deficiti tregëtar është ngushtuar gjatë vitit 2011.
Gjatë kësaj analize, gurvernatori Fullani tha se, oferta e kredisë ka ngelur e ngurtësuar përgjatë gjysmës së dytë të 2011. Fullani shtoi se, inflacioni do të mbetet i kontrolluar ndërsa sipas tij, pritet që edhe kërkesa e huaj të japë të dhëna pozitive në ekonominë shqiptare.
“Shpejtësia e rrijes së ekonomisë do të përcaktohet nga kërkesa e brendshme, e konsumit dhe investimeve. Ekzistojnë mundësi për rritjen e mëtejshme në të ardhmen” theksoi Fullani.
Pavarësisht situatës ekonomike në vendet e tjera, Fullani tha se pritshmëritë e presioneve inflacioniste të ekonomisë botërore do të jenë në rënie, ndërsa me pozitivitet nga Banka e Shqipërisë shihen kushtet monetare që do të jenë të përshtashme për zhvillimin e aktivitetin ekonomik në vend.
Edhe pse në Europë dhe më gjerë bursat tregojnë për rritjen e çmimit të naftës, Banka e Shqipërisë bënë të ditur se është vigjilente dhe në vendimarrje që ka për bazë elementë të tillë si çmimi i naftës. Edhe në këtë rast, sipas Fullanit, ka mekanizma të mbajtjes në kontroll të infacionit në çmimin e naftës.
Wednesday, 29 February 2012 18:42