Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 14:58

Prishtinë-Kryeministri i Kosovës Hashtim Thaçi paralajmëroi sot gjatë mbledhjes së qeverisë anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Sipas tij Kosova ka tashmë të gjitha votat që i nevojiteshin për tu bërë pjesë e BERZH.

 “Kosova do të trajtohet si të gjitha vendet tjera, e barabartë, dhe ky hap, ky standard bëhet vetëm për vendet e pavarura dhe sovrane dhe të njohura ndërkombëtarisht, kjo do të bëjë shkurtimin e rrugës për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe do të vazhdohet me marrëdhëniet kontraktuale me BE-në” – u shpreh kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovë.

Ai shtoi se “tanimë  janë të konfirmuara edhe zyrtarisht votat e mjaftueshme për anëtarësimin e Kosovës në  Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim.

 “Gjatë muajit mars, ne do të aplikojmë si Republikë e Kosovës, dhe do të respektojmë procedurat e rregullta që të bëhemi anëtarë të barabartë në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim Evropian” – tha kryeministri Thaçi

Ndërkohë qeveria ka miratuar Platformën Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për vitin 2012.

Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë përcakton objektivat dhe interesat strategjike të Republikës së Kosovës, në fushën e sigurisë dhe prioritetet themelore të punës së AKI në kuadër të kompetencave të saj.

Po ashtu sot është miratuar nga Qeveria nisma për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Ky proces i rishikimit sipas ministrit të FSK-së Agim Çeku do të përfundojë deri në vitin 2013 . kur pritet që të hiqen të gjitha kufizimet për FSK-n të parapara me planin e Ahtisarit. (LajmeShqip.com)