Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 12:07

Washington- Anëtari Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel, thotë se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në integrimet evro-atlantike.

“E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit është brenda strukturave kryesore evro-atlantike, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha Engel dhe shtoi se “kjo nënkupton se vendet e rajonit e ndajnë fatin e përbashkët dhe duhet të vlerësohen nga standardet e përbashkëta të respektit për fqinjët e tyre”.

Engel, mendon se “Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk mund të kthejnë kokën prapa kur Serbia injoron marrëveshjet e arritura me Kosovën” dhe shton se “ne duhet ta mbajmë Serbinë përgjegjëse duke mos i zgjeruar përfitimet e mëtejshme për Beogradin, derisa t’i plotësoj të gjitha kushtet e specifikuara të BE-së dhe t’i implementojë marrëveshjet që i ka nënshkruar.

Në deklaratën e dërguar medieve Eliot Engel, thekson se marrëveshja e pritur gjatë, ishte e mundshme “vetëm për shkak se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë siguruar se Serbia më nuk do ta bllokojë Kosovën në pjesëmarrje të drejtë në tryezë si një shtet i pavarur” dhe shton se “sekretarja e shtetit, Hillary Clinton, ka meritë të lartë për garantimin se e drejta e Kosovës, si një vend sovran, mbetet e sigurt gjatë negociatave dhe se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me miqtë e tyre në Ballkan dhe në mbarë botën”.

Engel konsideron se “nga liberalizimi i vizave,  anëtarësimi në BERZH e deri te Marrëvshja për Stabilizim Asocim, Bashkimi Evropian duhet të punoj fuqishëm dhe të lëvizë shpejt në përpjekjet për përfshirjen e Kosovës në strukturat evropiane dhe të siguroj se Serbia aktualisht i implementon marrëveshjet, që i ka nënshkruar me Kosovën”. (LajmeShqip.com)