Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 10:50

Prishtinë – “Kosovës i duhet një president ceremonial dhe Republika e Kosovës duhet të saktësohet si Republikë parlamentare, me pushtete të ndara dhe të balancuara”, tha ditën e djeshme kryetari i Kuvendit kosovar, Jakup Krasniqi gjatë konferencës “Kompetencat dhe roli i Presidentit në përcaktimin e modelit të Qeverisjes në Republikë-mësimet dhe përvojat regjionale”.

Gjatë kësaj konference Krasniqi theksoi se, “nëse arrijmë që në kushtetutën tonë t’i ndajmë pushtetet dhe t’i balancojmë ato, do të krijojmë kushte për një shëndet më të mirë të demokracisë në Kosovë”.

Kreu i legjislativit kosovar u shpreh se, “qëllimi i ndryshimeve kushtetuese duhet të jetë saktësimi i detyrave dhe i përgjegjësive të presidentit dhe të Kuvendit, si institucioni më i lartë legjislativ dhe fuqizimi i kryeministrit në fushën e ekzekutivit”.

Kryetari i Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, tha se, “kjo konferencë është një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave në funksion të arritjes së zgjidhjeve sa më të mira kushtetuese për Republikën e Kosovës, e cila, sipas tij, po pretendon të gjejë një model të suksesshëm të qeverisjes e të sistemit politik, që do të krijojë stabilitet politik dhe do të mundësojë funksionalitet kushtetues”.

“Kjo konferencë do të nxjerrë konkluzione shumë të rëndësishme, të cilat do të hyjnë në funksion të Komisionit Kushtetues dhe do të na mundësojë që të përcaktojmë zgjidhje funksionale, të cilat do të marrin parasysh praktikat e mira në shtete të ndryshme, por edhe nevojat e Kosovës, në mënyrë që të bëhet një kombinim i këtyre përvojave me realitetin në vend”, u shpreh Bajrami.

Kjo konferencë u organizua nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare dhe Friedrich Erbert Stiftung.