Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 09:15

Detroit – Mit Romni është shpallur fitues i votimeve të republikanëve për zgjedhjen e kandidatit presidencial në Miçigan dhe në Arizonë.

Me afro 80 rrethet në Miçigan që i kanë raportuar rezultatet, ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, ka fituar 41%, ndërsa ish senatori Rik Santorum, 37%, raportojnë mediat amerikane.

Fitorja e ngushtë e Mit Romnit në Miçigan, ku ai është rritur dhe ku babai i tij ishte guvernator, tregon se gara për zgjedhjen e kandidatit republikan, në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara kundër Barak Obamës, në muajin nëntor të këtij viti, ende është e hapur.

Pasi mori vesh se ka fituar me rezultat të ngushtë në Miçigan, Romni deklaroi:

“Ne nuk fituam me diferencë të madhe, por ne fituam mjaft dhe kjo është ajo që llogaritet.”

Sipas projeksioneve të mediave amerikane, ai ka fituar edhe në Arizonë. Me 43% të rretheve që i kanë raportuar rezultatet, Romni po udhëheq me 49%, ndërsa Santorum, ka 25%.

Gara e ngushtë në Miçigan e bënë të ashtuquajturën “Super të Martë” në javën e ardhshme edhe më të rëndësishme, pasi votimet mbahen në 10 shtete dhe përfundimisht mund të përcaktohet kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale.