Interesat e bonove të thesarit u rritën përsëri në ankandet e sotme, duke zhgënjyer pritshmëritë për një tendencë rënëse, pas vendimit të Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit.
Norma mesatare e ponderuar e interesit për bonot me maturim 12 mujor arriti në 7.32%, nga 7.21% që kishte qënë në ankandin paraardhës. Në ankand u emetuan bono në vlerën e 10 miliardë lekëve, nga 11.5 miliardë lekë që kishte kërkuar qeveria shqiptare.
E njëjta gjë ndodhi edhe për bonot me maturim 3 mujor. Nga 4.3 miliardë lekë hua që kishte kërkuar qeveria, oferta për financim nuk shkoi më shumë se 3.4 miliardë lekë. Interesi mesatar i ponderuar u rrit në 5.27%, nga 5.08% që kishte qënë në ankandin parardhës. Kjo është hera e parë pas shumë muajsh që qeveria nuk arrin të plotësojë kërkesën për borxh në tregun e brendshëm financiar.
Në fakt, kërkesa për financim ishte vetëm relativisht e lartë, sepse shpeshherë borxhi i kërkuar ka qënë edhe në vlera më të larta. Por ajo që i ka ndryshuar balancat është ulja e ofertës për financim nga sistemi bankar.
Pavarësisht se zotërojnë likuiditete mëse të mjaftueshme, bankat duket se kanë vendosur të ulin ekspozimin në letrat e borxhit të qeverisë shqiptare, ndoshta të shtyra edhe nga direktivat e grupeve bankare të cilave ju përkasin.
Kriza e borxheve në eurozonë po jep goditjen e vet, pavarësisht se Shqipëria nuk është direkt e përfshirë dhe gjendja e financave publike vlerësohet nën kontroll. Tërheqja e pjesshme e sistemit bankar po prish planet e Bankës së Shqipërisë, që synonte të ulte çmimin e parasë, për nxitur kreditimin në ekonomi.
Rritja e interesit të bonove ndikon drejtpërsëdrejti edhe në interesat e kredive afatgjata në lekë.
Ndryshimi i kursit të bankave mund të jetë një shqetësim edhe për qeverinë dhe për ekulibrin e financave publike. Nëse edhe në ankandet e ardhshme investitorët nuk do të ofrojnë mjaftueshëm, qeveria shqiptare mund të detyrohet të rishikojë strukturën e planfikuar të huamarrjes dhe të kërkojë financim në tregjet e huaja.
Tuesday, 28 February 2012 18:10