Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 15:45

Tiranë-Më shumë se gjysma e kontratave koncesionare të lëshuara nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për ndërtimin e Hec-eve kanë si problem kryesor mungesën e fondeve.

Pamundësia financiare e këtyre firmave, që në rastet më të shumta janë kompani krejt të padëgjuara, ka bërë që të ngecin punimet dhe projektet të ngelen në letër.

Për dhënien e një licence për ndërtim Hec-i, ministria kërkonte 2% të shumës totale që parashikohej të investohej për zbatimin e projektit. Duket se ky kusht është plotësuar për dhënien e 62 lejeve të cilat tanimë nuk mund të realizojnë zbatimin e planit të punës.

Aktualisht, për t’u ardhur në ndihmë këtyre kompanive, ministria e Ekonomisë, po zhvillon bisedime me institucione të ndryshme financiare, të huaja dhe vendase për të mbështetur projektet e papërfunduara.

Drejtoresha e Manaxhimit të Projekteve në këtë ministri, Llambriola Misto, tha se po punohet për të gjetur zgjidhje për këto probleme.

Në total, që nga viti 2006, ministria ka lëshuar 114 kontrata koncesionare për ndërtimin e rreth 300 hec-eve të vogla dhe të mesme me fuqi gjenerimi totale të instaluar 1400 Megavat dhe vlerë investimi prej 240 miliard lekë. Aktualisht, në vend shfrytëzohet vetëm një e treta e burimeve ujore për prodhimin e energjisë hidrike. (LajmeShqip.com)