Kukës-Ambasadorja gjermane në Tiranë, Holtkemper, iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me qëndrimin gjerman ndaj kërkesës serbe për të marrë statusin e kandidatit për në BE, kur është i njohur fakti se Shqipëria ka aplikuar më parë për të fituar statusin e kandidatit.
Ambasadorja gjermnane e vuri theksin te kompromisi që është mbi bazën e çdo veprimi, ndonëse ajo nuk mohoi pozicionin kritik të Gjermanisë ndaj kësaj çështje. Holtkemper theksoi se, “në BE vendimet merren gjithmonë mbi bazë kompromisi. Ky është një koncept mjaft i rëndësishëm edhe në kontekstin shqiptar. Përvec kësaj, do të thoja se ju jeni në dijeni mjaft mirë të pozicionit kritik që ka Gjermania lidhur me kërkesën e aplikimit të Serbisë dhe në lidhje me politikën e Serbisë në rajon në tërësi”.
“Ne jemi pozicionuar gjithmonë mbi kompromisin, jemi pozicionuar gjithmonë për zgjidhje të arsyeshme që merren mbi bazë kompromisi”, theksoi Holtkemper. Ambasadorja gjermane theksoi se secili shtet duhet të plotësojë edhe kriteret e Kopenhagenit që të fitojë statusin e kandidatit për në BE.
“Ka nga ana tjetër edhe ca kritere të mirënjohura si, kriteret e Kopenhagenit, të cilat duhen të përmbushen. Nëse gjykohet se ato janë përmbushur vetëm pastaj mund të jepet sttatusi i kandidatit”, theksoi Holtkemper. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 28 February 2012 14:50