Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 12:30

Tiranë – Qeveria ka vendosur të bëjë ndryshime në dy ligje të rëndësishme: për TVSH-në dhe për tregun e sigurimeve, të cilat u prezantuan sot në Këshillin Konsultativ të Biznesit me synim, njohjen e tyre dhe pasi të diskutohen nga palët e interesuara, do të miratohen më vonë prej tij.

Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço si kryetar i Këshillit Konsultativ të Biznesit, duke prezantuar këto dy p/ligje, theksoi se sot do të merren mendimet për këto ndryshime. “Do të jetë një mbledhje tjetër për miratimin e tyre pas diskutimeve me grupet e interesit”, tha ai.

Naço bëri të ditur edhe një rishikim në rregulloren e Këshillit, pasi kërkohet ndryshim i anëtarëve të tij, të cilëve u ka mbaruar mandati.

Zv/ministri i Financave, Alfred Rrushaj paraqiti ndryshimet në dy p/ligjet, që lidhen direkt me interesin e bizneseve si dhe me rritjen e tregut të sigurimeve në vend.

Rushaj duke bërë të ditur se më parë të dy p/ligjet janë diskutuar me grupet e interesit, bizneset dhe shoqatat e tyre, tha se “ndryshimet në këto dy ligje janë shumë të rëndësishme pasi do të rregullojnë marrëdhëniet si për TVSH,  dhe tregun e sigurimeve për një kohë të gjatë”.

“Ne presim mendimet tuaja për formën përfundimtare të dy p/ligjeve”, tha ai.

Ndryshimet në ligjin “Për tregun e sigurimeve” i ka paraqitur Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF), që ka marrë në konsideratë risitë dhe ndryshimet që sektori i tregut të sigurimeve duhet të respektojë.

“Tregu është me potenciale shumë të mëdha, por ato ende nuk po shfaqen përmes operatorëve. Shqipëria ka vlerën më të ulët të këtij treg në rajon dhe është larg standardeve. Përmes këtij p/ligji i jepet shtysë tregut dhe ne presim që operatorët ekonomikë të sektorit të mund të japin ndihmën e vet, në kushtet kur në Shqipëri operojnë emra nga më të mirat europiane”, tha Rushaj.

Ndryshimet në “Ligjin për TVSH”, zv/ministri i Financave i lidhi me kohën kur ai është hartuar për herë të parë, në vitin 1995 dhe me gjithë ndryshimet kohë pas kohe, kërkon rishikim.

“Për shkak të rritjes së tregut dhe formave të të bërit biznes në Shqipëri, kërkohet një ligj të ri i sjelljes me këtë taksë që të jetë edhe në përputhje me BE-në, një detyrim që lind nga MSA”, tha Rushaj.

Ai vlerësoi se ndonëse është bërë punë e mirë, janë marrë në konsideratë eksperiencat e hasura deri sot, nisur nga fakti që sot në Shqipëri punojnë edhe shumë operatorë të huaj, përfarimi me legjislacionin me vendet e BE-së në këtë fushë kërkon përparësime.

“P/ligji i ri sqaron rregullat e qarta për shërbimet, bizneset, parashikon regjime të veçanta, si për SME, agjencitë e udhëtimit, tregtimit, etj, sipas eksperiencave botërore, por dhe atyre të hasura në vend”, tha Rushaj.

Ai bëri të ditur se për këto dy p/ligje do të zhvillohen përgjatë dy muajve në vijim tryeza pune, ku do të shkëmbehen mendimet për të marrë në konsideratë interesat e grupeve dhe shoqatave të biznesit.

Avni Ponari, president i kompanisë së sigurimeve “Sigal Austria” duke pranuar se tregu i sigurimeve është i vogël  në Shqipëri, tha se “kjo tregon se duhet të ketë hapa të mëtejshme për të ardhmen dhe duhet rritur dhe interesi i shtetit për t’a rritur këtë treg”.

Sipas tij, në Shqipëri veprojnë dy kompani të mëdha që zotërojnë mbi 60% të tregut shqiptar të sigurimeve.

Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço si kryetar i Këshillit Konsultativ të Biznesit bëri të ditur nevojën për një rishikim në rregulloren e Këshillit, pasi kërkohet ndryshim i anëtarëve, të cilëve u ka mbaruar mandati.