Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 20:06

Prishtinë- Propozimi i kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet me fusnotën ku shënohet edhe Rezolutë 12 44, sipas deputetit të LDK-së dhe ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni ka befasuar të gjithë, madje edhe vet presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hyseni thotë se kthimi në Rezolutën 1244 paraqet kthim në çështjen e pazgjidhur të statusit të Kosovës, çka sipas tij, mund të ketë pasoja për Kosovën dhe gjithë rajonin.

“Ne e dimë të gjithë që pas dorëzimit të Propozimit Gjithëpërfshirës (Pakos së Ahtisarit) Kosova në mënyrë shumë të koordinuar me partnerët kyç ndërkombëtar pati shpallur pavarësinë e saj. Me këtë akt, Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran nën mbikëqyrjen ndërkombëtare për një periudhë të caktuar. Dhe, gjëja e fundit që do të duhej pritur pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për ta përmbyllur këtë mbikëqyrje diku nga fundi i këtij viti, dhe gjëja e fundit po them që duhej pritur ishte që vet institucionet e Republikës së Kosovës me vullnetin e tyre të rikthehen dhe përqafojnë Rezolutën 12 44 si model identifikimi në takimet ndërkombëtare”-shprehet Hyseni.

Sipas tij është absolutisht e papranueshme, dhe e dëmshme kjo mënyrë e përfaqësimit të Kosovës. “Unë ju siguroj që një gjenerozitet, një zemërgjerësi të tillë nuk do ta ketë pritur as Tadiçi e edhe më pak miqtë e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian”-vijon ish ministri i jashtëm i Kosovës.

Hyseni shton se shqetësimi i LDK-së është absolutisht i mbështetur, pasi përfshirja e 1244-ës apo çfarëdo lloj fusnote, Kosovës ia vështirëson jetën në masë të madhe në dekadat e ardhshme. “Po flasim për dekadat e ardhshme. Problemet nuk zgjidhen duke bërë koncesione të dëmshme, të njëanshme, për njërën palë. Dhe, ky koncesion është absolutisht i papranueshëm, absolutisht është shumë i dëmshëm për Republikën e Kosovës dhe pasojat Kosova do t’i vuajë në  dekadat e ardhshme, dhe për këtë shembulli më i mirë është Republika e Maqedonisë” vijon Hyseni.

Ai paralajmëron se pranimi i rezolutës 1244 të KS të OKB-së, do të sjellë pasoja jo vetëm për Kosovën por për mbarë rajonin. “Pasojat janë të shumta dhe sërish po e them që ky është vetëm një fillim i degradimit gradual të shtetësisë së Kosovës. Nëse ky variant i propozuar i Qeverisë së Kosovës pranohet në Bruksel, ne tash paradoksalisht na mbetet të shpresojmë se nuk do të pranohet, por nëse pranohet ky do të jetë fillim i degradimit të shtetësisë së Kosovës. Me këtë ne e kemi legjitimuar politikën e pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe e kemi refuzuar politikën e 22 vendeve të Bashkimit Evropian që e njohin Kosovën”-shprehet ai.

Hyseni është i mendimit se pranimi i kësaj marrëveshje tregoi pazotësinë e delegacionit të Kosovës në këtë dialog ku Prishtina nuk është e barabartë. “Dialogu duhej të synonte ta zvogëlonte atë hendek shumë të madh midis dy vendeve, jo ta thellojë problemin duke iu kthyer Rezolutës 12 44 që në thelb është akt i rihapjes së çështjes së statusit të Kosovës. Kjo nuk guxon të ndodhë, sepse rihapja e statusit të Kosovës mund të ketë pasoja të paparashikueshme për Kosovën gjithsesi, por unë kam frikë shumë të madhe edhe për krejt rajonin”-përfundoi ish ministri. (REL)