Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 18:16

Tiranë – Kryeministri i vendit Sali Berisha ka vlerësuar marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një akt të një rëndësie të veçantë që bën të mundur përfaqësimin e Kosovës në procesin e integrimit rajonal dhe europian si shtet dhe vend i pavarur.

“Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë – Serbi por edhe për bashkëpunimin, paqen dhe stabilitetin rajonal. Vërtet marrëveshja parashikon përdorimin e një fusnote si një kompromis ndërmjet palëve, por pranimi i saj nga pala serbe është pranimi de facto dhe de juro i Kosovës si shtet dhe vend i pavarur”, shprehet Berisha.

Sipas tij, e vërteta e pakundërshtueshme është se pas 17 shkurtit të vitit 2008, domethënë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania, Gjermania, Italia, Japonia dhe mbi 90% e vendeve të lira të botës dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Rezoluta 1244 e OKB-së është thjesht një relike në arkivën e një kohe që nuk kthehet kurrë më, një letër e vdekur që nuk i besojnë as ata që e citojnë.

Më herët edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë njëherësh numri 2 i Qeverisë Edmond Haxhinasto ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Në një deklaratë zyrtare Haxhinasto ka përshëndetur marrëveshjen e arritur ndërmjet delegacionit kosovar dhe atij serb, pasi sipas tij, çon në forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe se i hap rrugë integrimit të plotë ndërkombëtar