Tiranë- Paraditen e nesërme do të bëhet hapja e ofertave për licencën e tretë 3G të telefonisë së lëvizshme. 
Ndryshe nga dy garat e para, dhënia me sukses e licencës është më pak e sigurt. Gjatë muajit Janar, drejtori i përgjithshëm i “Eagle Mobile” u shpreh se me shumë gjasa kompania e tij nuk do të merrte pjesë në garë, sepse vlerësonte tepër të lartë çmimin minimal prej 12.5 milionë eurosh të përcaktuar nga Ministri Genc Pollo.
Në të njëjtën mënyrë është shprehur edhe kompania tjetër, “Plus Communication”, që nuk ka marrë pjesë as në dy garat e mëparshme. Operatorët kanë kërkuar dhënien e menjëhershme të dy licencave 3G, kundrejt një çmimi më të ulët.
Licencimi i një operatori të tretë 3G pritet të sjellë më shumë konkurrencë në tregun e internetit përmes rrjeteve të lëvizshme. Shqipëria ka dy operatorë 3G, “Vodafone Albania”, e licencuar në tetor të vitit 2010 dhe “AMC”, që e mori licencën në Shtator të vitit të kaluar. Nga dy licencat e para, qeveria shqiptare ka përfituar gjithsej 46.5 milionë euro.
Thursday, 23 February 2012 18:10