Lajme Shqip Thursday, 23 February 2012 14:01

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi të enjten në Kuvend se opozita po bllokon reformën si dhe marrjen e statusit të kandidatit në Bashkimin Europian.

Duke iu përgjigjur në Kuvend kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçi, lidhur me reformën zgjedhore e parlamentare, Kryeministri Berisha tha se maxhoranca ka qenë e gatshme për të adaptuar nen për nen rregulloren e Parlamentit Evropian, ndërsa opozita kërkon ndryshimin e Kushtetutës.

Berisha shkoi më tej duke kërcënuar me anulimin e marrëveshjes me Partinë Socialiste, nëse kjo e fundit nuk tregohet e gatshme ta zbatojë atë. “Doni zotërinj të zbatojmë marrëveshjen, ne jemi të gatshëm 100 %, nëse jo dhe mendoni se e votuat kodin për ne, hajde e anullojmë marrëveshjen që nesër”-tha Berisha.

Kryeministri tha se maxhoranca ka bërë gjithçka dhe ka qenë e gatshme për të bashkëpunuar për avancimin e këtyre reformave, ndërsa opozita ka bllokuar këtë proces, duke rreshtuar dhjetëra kërkesa. Akti i parë i opozitës, sipas tij, “është shkelja e marrëveshjes, kur kërkojnë që kryeministrit t’i kufizohet koha, të ketë kohë të barabartë me kreun e minorancës, duke kërkuar kështu ndryshimin e Kushtetutës”.

Duke iu referuar qëndrimit të një dite më parë të kryetarit të PS-së dhe atij të kreut të grupit parlamentar socialist sot, Kryeministri Berisha tha se kemi bërë gjithçka për avancimin e këtyre reformave.

“Dy muaj para se të firmosej marrëveshja këta zotërinj rreshtojnë dhjetëra kërkesa për rregulloren e parlamentit. Edhe pse të bindur se kjo rregullore është e standardeve më të mira demokratike, pranuam të shqyrtojmë rregulloren, duke e adaptuar atë nen për nen, sipas rregullores së Parlamentit Evropian”, u shpreh Berisha.

Ndërkaq, kryeministri akuzoi opozitën se bllokoi dhe kërkon me çdo kusht të bllokojë procesin e integrimit. Berisha tha se maxhoranca nuk do t’i lutet opozitës për të mos e bllokuar, pasi shqiptarët do të japin verdiktin e tyre në 2013-ën, ndërsa siguroi se asnjë vendim i ODIHR-it nuk është bllokuar dhe s’do të bllokohet. “Ju doni me çdo kusht të bllokoni statusin”, iu drejtua Berisha opozitës.

Gjithashtu, Berisha garantoi opozitën se nuk do të ketë asnjë lloj presioni nga maxhoranca, por edhe se nuk pranon asnjë lloj presioni dhe ultimatumi nga opozita.

Ruçi: Mazhoranca nuk pranon rekomandimet e ODIHR-it

Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Gramoz Ruçi, tha të enjten në Kuvend, se reforma zgjedhore nuk është tekë e opozitës, por është maxhoranca ajo që nuk i pranon rekomandimet e ODIHR. 

Kuvendi u përfshi sot nga debati rreth afateve për realizimin e reformës zgjedhore, çështje që u shoqërua me akuza të ndërsjella mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës. Deklaratës së fillimit të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, iu përgjigj homologu i grupit socialist, Gramoz Ruçi, i cili akuzoi maxhorancën se nuk i pranon rekomandimet e ODIHR-it për realizimin e reformës zgjedhore.

“Problemet që u trajtuan nga kolegu në vend që të kishin një përgjigje patën disa akuza. U quajtën kushte për të vazhduar reformën; ato reforma që para tre muaj e gjysëm i kemi nënshkruar bashkarisht për një reformë të plotë:  reformën zgjedhore, reformën në parlament dhe ligjet me shumicë të cilësuar. Deri tani janë në përmbushje të plotë vetëm ligjet me shumicë të cilësuar, ku opozita ka bërë detyrën e saj”, tha Ruçi.

Ai theksoi se opozita është e angazhuar që brenda marsit të japë votën e saj për ligjet me shumicë të cilësuar, por shtoi se prioritet mbetet realizimi i reformës zgjedhore.

“Është radha e reformës zgjedhore, e cila është në finishin e afateve të miratuara në parlament. Ajo që kemi trajtuar në konferencën e kryetarëve dhe në seancën e parlamentit është jo se mungon vullneti për të plotësuar tekat e opozitës, por rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR”, tha Ruçi.

Sipas tij, kërkesat e opozitës janë ato të cilat janë kërkuar dhe në raportin e ODIHR-it si listat e zgjedhësve, kartat e identitetit, numërimi, KQZ, si dhe çështja e kolegjit zgjedhor.

“Thoni pra që nuk jeni dakord me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe jo me tekat e opozitës. Opozita është aty, përfaqësuesit tanë janë të gatshëm aty 24 orë në dispozicion për t’i bërë këto dhe ne kemi e dhënë provën tonë duke miratuar kodin detar, kodin rrugor, kodin ajror, kodin civil e kodin penal që po përfundon. Janë të gatshëm kolegët ‘për gjykatën administrative'”, iu drejtua Ruçi deputetëve të maxhorancës në sallën e parlamentit.

“Nëse këtu akuzoni opozitën dhe liderin e saj për bllokim atëherë kjo është për ju, që keni bllokuar dy reforma të rëndësishme, që janë kërkesa të progres raportit të KE-së. Është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë që këto dy detyra që ka parlamenti të përmbushen në afatin e caktuar”, theksoi Ruçi. (LajmeShqip.com)