Prishtinë- Samuel Zhbogar shpreson që pala e Kosovës do të pajtohet sot në Bruksel me propozimin për përfaqësimin e saj në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.
Ai theksoi se një marrëveshje e tillë i mundëson Kosovës të flas vetë për vete pa praninë e UNMIK-ut dhe të jetë e barabartë me vendet tjera në këto nisma. Pranimi i këtij propozimi, sipas tij, do të jetë një hap i madh i Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme, kjo do të ndihmojë së tepërmi sidomos brenda BE-së me pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën për ta çuar përpara agjendën evropiane. Unë shpresoj se në ditët në vazhdim ne nga BE-ja do të jemi në gjendje të dalim me një pako për Kosovën që do të tregojë qartë rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, tha Zhbogar.
Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë tha se fusnota është një kompromis, por njerëzit nuk do të shohin në tabelën e përfaqësimit, por do të dëgjojnë se çka ka Kosova për të thënë. Prandaj ai tha se marrëveshja është shumë e rëndësishme, në mënyrë që Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale dhe ndërkombëtare dhe të flas për veten.
Zhbogar tha se nëse nuk do të ketë marrëveshje, Kosova rrezikon të ngujohet dhe nuk do të jetë në gjendje të përfaqësohet jashtë si dhe do të bllokohet në lëvizjen e saj drejt Bashkimit Evropian.
Wednesday, 22 February 2012 11:50