Prishtinë- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka vlerësuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, se gjendja e përgjithshme e sigurisë është stabile, me përjashtim të veriut, ku gjendja është e tensionuar dhe vazhdon të provokohet nga strukturat ilegale dhe ekstremiste serbe.
Thaçi, i cili e kryesoi këtë takim, ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, për të ndërmarrë veprime, që edhe në veri ta shtrijë kushtetutshmërinë dhe zbatimin e ligjit, duke pasur edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, ka njoftuar kryeministria e Kosovës.
Mëtutje, është thënë se Qeveria, megjithë kundërshtimet e disa subjekteve politike, me obligimet e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ka ndjekur një politikë parimore, duke treguar gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve teknike me Serbinë.
Pavarësisht pakënaqësive, u tha se grupet e organizuara dhe individët të shprehin pakënaqësinë e tyre në forma demokratike dhe në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi.
Meqenëse ky vit kalendarik është edhe viti i përmbylljes së Pavarësisë së Mbikëqyrur, Këshilli i Sigurisë së Kosovës rekomandoj që përmbyllja e këtij procesi ta gjej Kosovën të përgatitur në të gjitha sferat e politikave të sigurisë, prandaj u vlerësua i qëlluar dhe proces i domosdoshëm propozimi që Kosova të fillojë me Rishikim Strategjik të Sektorit të Sigurisë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 February 2012 09:00