Prishtinë – KFOR-i dërgoi sot ndihma nga ajri për pesë barinjtë e izoluar në bjeshkë afër fshatit Restelicë, në komunën e Dragashit, në jug të Kosovës, ku ka reshje të mëdha të dëborës.
Barinjtë janë duke u kujdesur për bagëtitë në një fermë. Qendra e Situatave e Ministrisë së FSK-së në bashkërendim me Qendrën e Situatave të Qeverisë, KFOR-in, banorët lokalë dhe shoqatën “Nëna Terezë” arriti me sukses të koordinojë të gjitha aktivitetet, që ky operacion humanitar dhe emergjent të përfundojë me sukses.
Sipas njoftimit të Ministrisë së FSK-së, pas operacionit të zhvilluar dje pas dite, tani këta banorë nuk janë më në rrezik, pasi ndihmat e dërguara, do t’u mundësojnë atyre një qëndrim më të gjatë në ato lokalitete duke qenë të furnizuar me artikujt ushqimorë të domosdoshëm dhe me gjëra të tjera të nevojshme.
Wednesday, 15 February 2012 14:11