Tiranë- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shprehu dje, mbështetjen për komunitetin rom në Shqipëri, duke e cilësuar të drejtën e strehimit të tyre, një të drejtë themelore.
Përmes një deklarate për shtyp, nënkryetari i PBDNJ-së, Thanas Poci i bëri thirrje strukturave të shtetit, por edhe shoqërisë civile, të ndahen përfundimisht nga qëndrimet diskriminuese ndaj pakicave etnike në tërësi, dhe pjesëtarëve të komunitetit rom në veçanti.
“Konkretisht, i drejtohemi qeverisë shqiptare, duke i kërkuar reagimin e menjehershëm, në zbatimin real të një strategjie kombëtare, për përmirësimin e situatës sociale të komuniteteve rome dhe atij ballkano-egjiptian. Ne jemi të bindur se, vetëm projektet konkrete të mbështetura me financa publike, do të mund të nxjerrin këta qytetarë shqiptarë, nga skamja e vërtetë që prej vitesh i ka mbërthyer”, thuhet në këtë deklaratë.
Duke përshëndetur qëndrimin e Avokatit të Popullit për këtë çështje, PBDNJ thekson se këmbana e alarmit që ra në oborrin e Avokatit të Popullit duhet të dëgjohet nga të gjithë, maxhorancë dhe opozitë, strukturat shtetërore dhe shoqëria civile, si dhe përfaqësuesit diplomatik të huaj me shërbim në Tiranë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 05 February 2012 09:00