Qeveria shqiptare angazhohet që të mos rrisë taksat ndaj bizneseve deri në vitin 2014. Kjo u konfirmua nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen javore me ministrat, ku njoftoi miratimin e programit fiskal për vitet 2012-2014. Duke përsëritur vendosmërinë për të mos ndryshuar mënyrën e taksimit, kryeministri tha se ky program vjen në mbështetje të modelit ekonomik, që sipas tij, i ka garantuar vendit, stabilitetin dhe rritjen ekonomike që gëzon aktualisht.
Një drejtim kryesor që pritet të marrë vëmendje kryesore këtë vit do të jetë procesi i privatizimeve. Projekti i qeverisë parashikon zgjerimin e sektorëve nga të cilat shteti do të heqë dorë nga menaxhimi. Sipas kryeministrit, pas privatizimit të kompanisë së naftës ALBPETROL, në radhë janë hidrocentralet, pyjet dhe monumentet e kulturës.
Referuar pritshmërisë së qeverisë, fondet që mblidhen nga privatizimet do të kalojë në buxhetin e shtetit,për të shërbyer kështu edhe si një masë ndaj efekteve që mund të sjellë përkeqësimi i krizës ekonomike rajonale. Gjithashtu, kryeministri njoftoi miratimin e dy projektligjeve që lidhen me privatizimin e kompanisë së naftës Albpetrol.
Referuar vendimit të parë që parashikon privatizimin 100% të aksioneve shtetërore në këtë kompani, për 3500 naftëtarët që mbeten të papunë, përcaktohet se do të jetë ekzekutivi ai që do të vendosë për trajtimin financiar të tyre.
Wednesday, 01 February 2012 18:00