Një ndryshim në ligjin për statistikat zyrtare riktheu në Komisionin parlamentar të Ekonomisë debatin lidhur me besueshmërinë e të dhënave të Institutit të Statistikave. Ndryshimi i sjellë nga qeveria parashikonte rregullimin ligjor që INSTAT nga institucion në varësi të Këshillit të Ministrave të kalonte si një institucion në varësi direkte të kryeministrit.
Sipas specialistit të Këshillit të Ministrave, Rezar Veseli, ky ndryshim vjen në sajë të nismës, që çdo institucion me varësi të papërcaktuar qartë të kalojë në varësi të kryeministrit apo të ministrit përgjegjës, në rastet kur varësia e përcaktuar deri tani është Këshilli i Ministrave.
Pavarësisht argumentimeve të përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, opozita e cilësoi ndryshimin si një ligjërim të asaj çfarë ndodh me institutin e Statistikave. Sipas deputetes Mimi Kodheli, INSTAT duhet të jetë një institucion në varësi të Parlamentit dhe jo të Këshillit ë Ministrave apo kryeministrit, në mënyrë që të dhënat të jenë të besueshme.
Pavarësisht debateve dhe votës kundër të opozitës, Komisioni miratoi ndryshimet në ligjin për statistikat zyrtare dhe në atë për prokurimet publike. Këto ndryshime, në thelb janë të njëjta, pasi të dy institucionet, ai i statistikave dhe ai i prokurimeve kalojnë nga varësia e Këshillit të Ministrave në varësinë e kryeministrit.
Monday, 30 January 2012 17:30