Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 15:35

Prishtinë- Qindra persona përmes protestës paqësore shprehën sot mbështetje për Fatmir Limajn dhe bashkëluftëtarët e tij që po gjykohen në rastin “Kleçka”.

Ata marshuan nga Fakulteti i Filologjisë deri para Teatrit Kombëtar, me pankarta në duar ku shprehnin besim në pafajësinë e tyre dhe duke brohoritur për UÇK-së, komandant Çelikun etj.

Përfaqësuesi i Organizatave studentore, Nehat Gashi, shprehu indinjatë ndaj akuzave që u janë ngritur luftëtarëve të lirisë.

“Ne mendojmë dhe jemi të sigurt se lufta jonë e drejtë ka qenë e pastës si loti, andaj jemi këtu që të shprehim përkrahjen tonë maksimale, për t’i thënë Euleksit se është duke gabuar shumë rëndë dhe mendojmë se akuzat e tyre janë me motive politike dhe për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me gjenocidin serbo-sllav të shkaktuar në Kosovë”-tha Gashi.

Kurse shefi i shtabit të brigadës 121 “Kumanova”, Skënder Hoti, i njohur si komandant Tigri, kundërshtoi gjykimin, duke e cilësuar atë si më të turpshmin në Kosovën e pasluftës.

Hoti theksoi se akuza ndaj Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij është e orkestruar nga Beogradi, ndaj u bëri thirrje drejtuesve të institucioneve vendore që të mos heshtin para këtij gjykimi, që sipas tij ka për qëllim degradimin e luftës për çlirimin e Kosovës.

Protesta përfundoi e qetë, ndërkaq organizatorët njoftuan se edhe në të ardhmen do të mbajnë protesta për të përkrahur luftëtarët e lirisë.