Prishtinë- Heqja e fjalës “Republikë” nga emri i shtetit tonë dhe shfuqizimi i reciprocitetit në Kuvendin e Kosovës e kanë fuqizuar Serbinë në Kosovë si dhe në arenën ndërkombëtare për çështjen e Kosovës. 
Kështu janë shprehur aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje” gjatë një aksioni simbolik që organizuan sot para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Zgjim Hyseni, aktivist i Vetëvendosjes tha se shënues i Republikës është vullneti i popullit të Kosovës.
“Republika është shënjuesi subjektiv i Kosovës si vend, e shënjuesi i kësaj republike, është vullneti i popullit të qytetarëve të Kosovës, vullnet ky i cili nuk mund po përfaqësohet nga kjo Qeveri e pakicës e cila e ka hedhur dhe po e tregton edhe vullnetin e popullit edhe pasurinë së vendit”-tha Hyseni.
Veç të tjerash, Hyseni tha se Qeveria e Kosovës, tashmë ia ka hequr Republikën dhe po ia mohon shtetësinë Kosovës, pikërisht aty ku ajo duhet të jetë e shprehur, në mënyrën më të qartë dhe precize, pra në raportet e Kosovës me Serbinë.
Hyseni e quajti të pavend analogjinë që po bëhet me konfliktin për emrin, që ekziston në mes të Greqisë dhe Maqedonisë. Ai tha se Greqia nuk po ia konteston Maqedonisë shtetësinë, por po ia konteston vetëm emrin, ndërkaq Serbia Kosovës nuk po ia pranon emrin, sepse ajo Kosovës ia mohon shtetësinë.
Monday, 30 January 2012 15:21