Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 14:42

Tiranë- Partitë e vogla të opozitës këmbëngulin në korrektimin kombëtar të sistemit aktual proporcional rajonal, në kuadër të procesit të reformës zgjedhore.

Pak ditë pasi komisioni i posaçëm miratoi me konsensus amendimet e para në ligjin zgjedhor, që lidhen me financimin e partive në zgjedhje, kryetari i PS-së, Edi Rama, mblodhi mesditën e së hënës përfaqësues të partive të majta për të diskutuar mbi reformën zgjedhore.

Pas takimit të mbyllur, kryetari i Partisë Demokracia Sociale (PDS), Paskal Milo, tha për gazetarët se  u  evidentua një kohezion i plotë i qëndrimeve të partive opozitare ndaj diskutimeve të deritanishme në  komisionin e reformës.

“Ne sot morëm një tjetër garanci se PS do të qëndrojë fort në mbështetje të kërkesës së partive të vogla që shprehen në mbrojtje të korrektimit kombëtar, të sistemit aktual proporcional rajonal”, u shpreh Milo.

Në këtë kuadër ai i bëri thirrje partive të vogla të spektrit të djathtë që të ushtrojnë presionin e duhur tek Partia Demokratike që reforma zgjedhore të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Nisur nga fakti që korrektimi i sistemit zgjedhor nuk bën pjesë në rekomandimet e ndërkombëtarëve, kryetari i PDS-së tha se OSBE/ODIHR nuk mund të merret me gjithë elementët e një reforme zgjedhore.