Tiranë – Kryeministri Sali Berisha theksoi sot, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, se censusi faktoi rritjen e biznesve në Shqipëri dhe suksesin e modelit ekonomik të Shqipërisë.
“Censusi i fundit fakton se në vitet 2005-2009, pra në një hark kohor 4 vjeçar, morën jetë biznese sa në 15 vjet të marra sëbashku. Kemi të bëjmë me një lëvizje kuantike ose kërcim kuantik në katër vite dhe këto të dhëna i referohen viteve 2005-2009, se po të shtojmë vitet e këtij mandati, natyrisht janë edhe më të rëndësishme të dhënat”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, kjo tregon se “modeli ynë ekonomik, i bazuar në taksat e ulta, në qeverinë e vogël, në klimën miqësore ndaj biznesit dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit, bëri që bizneset të gjejnë një mjedis më të favorshëm se më parë”.
“Nuk ekziston as edhe një vend i vetëm që në një hark kohor 4 vjeçar të ketë themeluar biznese të suksesshme, është fjala për bizneset aktive më shumë se 15 vite të marra sëbashku”, shtoi Berisha.
Pra, theksoi Berisha, “kjo ka vetëm një shpjegim, vetëm një arsye. Reformat e kësaj qeverie lejuan iniciativën krijuese, të lirë, të qytetarëve shqiptarë, që e kishin dhe para 2005, por u ndrydhej, u shuhej , në kalendat e korrupsionit dhe galeritë e tij”.
Kryeministri vuri në dukje se modeli ekonomik ka bërë që Shqipëria në 4 vjet të ridimensionojë disa herë potencialin e saj të biznesit.
“Është ky model, i cili ka bërë që Shqipëria në 4 vjet të ridimensionojë disa herë potencialin e saj të biznesit. Është ky model dhe ky zhvillim që shpjegon sesi ka mundësi që në këtë qeverisje nga viti 2006 në vitin 2011 janë mbledhur në arkën e publikut 7.2 miliardë dollarë më shumë taksa dhe tatime se në vitin kulmor të socializmit shqiptar. Pra janë mbledhur faktikisht mbi 3 buxhete më shumë të vitit 2004”, theksoi Berisha.
Sipas Kryeministrit, “ky model i transparencës, i klimës miqësore të biznesit, bëri të mundur që Shqipëria nga 2006-ta deri sot të 3-fishojë eksportet”.
“Shqipëria eksporton prodhimin. Statistikat tregojnë se vetëm 60 % e bizneseve në Shqipëri janë të vogla. Kjo shifër është 70%-80% në vendet në zhvillim. Pra një vend, që nuk ka shpallur si orientim themelor të ekonomisë së tij eksportin, megjithatë ekonomia shqiptare ka 3-fishuar eksportet nga viti 2006 dhe i ka dyfishuar nga viti 2009. Ka dyfishuar prodhimin nga viti 2009 dhe ka trefishuar prodhimin nga viti 2006”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, “ajo çka është specifike është se ky model bëri të mundur një rritje të jashtëzakonshme të të ardhurave që përfundonin më parë në galeritë e korrupsionit. Kjo bëri që të dyfishoheshin rrogat dhe pensionet”.
Duke folur mbi krizën ekonomike globale, Berisha u shpreh se “vendet sot në Europë po lëvizin në drejtim të liberalizimit të lejeve dhe liçencave, në krijimin e standardeve të reja dhe ju garantoj se kjo frymë është e vetmja që do nxjerrë nga kriza këto vende”.
Fatmirësisht, vijoi Berisha, “është konstatuar qartësisht se problemi më madhor është kompetiviteti, që është nocion që ka të bëjë me cilësinë e funksionimit të një ekonomie”.
“Shqipëria ka përmirësuar në mënyrë progresive treguesin e kompetivitetit dhe do të bëjë gjithçka për ta forcuar më tej. Shqipëria lë disa vende të BE-s mbrapa në rrafshin e lirisë ekonomike”, tha Kryeministri.
Por, shtoi Berisha, “në gjithë këtë realitet, si klithma të së shkuarës, të një të shkuare të largët, vjen dhe propaganda vulgare e drejtuesve të PS-së, të cilët u thanë shqiptarëve 2 vjet resht se në Shqipëri ka 1 milion të papunë, në një kohë kur krahët e punës në këtë vend nuk janë as 1 milion sipas censusit të fundit”.
Kryeministrit u shpreh se, sipas kësaj propagande, Banka e Shtetit po pret para për qeverinë. “Injoranca financiare në piedestal s’mund të vendosej ndryshe, në një kohë kur Shqipëria mbylli vitin me inflacionin më të ultin në Evropë, 1.7 %, ata mashtruan se qeveria nuk do ketë para për të paguar’.
“Tani së fundi kanë problemin e taksave”, tha Berisha, duke shtuar se “duan të kthejnë edhe një herë modelin marksist që është edhe ai një faktor i krizës së sotme. E vërteta është që modeli ynë bëri që punonjësi që merrte 240 mijë lekë në vitin 2005, të marrë rreth 500 mijë në vitin 2010. Është e vërtetë që para heqjes së taksës i mbeten 213 mijë lekë dhe tashmë 450 mijë, por le të pyeten këta punonjës nëse preferojnë modelin para 2005-ës apo pas 2005-ës”.
Kryeministri siguroi se “do të bëjmë gjithçka që rrezja e diellit të transparencës të penetrojë në çdo skutë të administratës së këtij shteti. Do të bëjmë gjithçka të finalizojmë procesin e privatizmit”.
Sipas Kryeministrit, “një nga kërkesat kryesore ndaj vendeve që përpëliten në krizë është privatizmi. Kjo kërkohet për të rritur kompetivitetin, prandaj edhe Shqipëria do të vijojë edhe këtë vit këtë proces”.
“Këtë vit do të privatizohen “Albpetriol”-i, 4 hidrocentrale të vogla dhe do të ecet gjithnjë e më tej duke e thelluar këtë proces. Gjendja ekonomike, situata, funksionimi i ekonomisë është një premisë që këto procese të jenë të suksesshme”, përfundoi Kryeministri Berisha.
Monday, 30 January 2012 14:34