Prishtinë- Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, priti sot në një takim Werner Almhofer, Shef i zyrës së OSBE-së në Prishtinë, me të cilin shkëmbyen pikëpamjet rreth zhvillimeve në Kosovë dhe të ardhmes së Kosovës drejt integrimit në të gjitha organizmat e Bashkimit Evropian. 
Ministrja Çitaku e njohu z. Almhofer rreth zhvillimeve dhe prioriteteve të Ministrisë së Integrimit Evropian, si dhe me bashkëpunimin e mirë që ka me të gjithë mekanizmat e BE-së dhe shteteve anëtare që janë të pranishme me misionet e tyre në Kosovë.
Po ashtu, ajo informoi për rrjedhën e koordinimit me të gjithë faktorët kyç pranë institucioneve të Kosovës për ri-integrim sa më të mirë të personave të riatdhesuar dhe deklaroi se kjo do t’i kontribuojë përmirësimit të gjendjes së qytetarëve.
Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë, Almhofer në takim theksoi se përkrah dhe mbështet përkushtimin e qeverisë së Kosovës për procesin e integrimit si dhe është optimist se e gjithë kjo iniciativë do të sjellë rezultate konkrete.
Ministrja Çitaku theksoi se “Qeveria e Kosovës është duke punuar për plotësimin e kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian dhe e gjithë përgjegjësia që bie mbi Qeverinë e vendit do të realizohet me përpikmëri”.
Monday, 30 January 2012 14:30