Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 14:09

Mitrovicë- Janë zhbollkuar të gjitha rrugët e fshatrave në Komunën e Mitrovicës, duke përfshirë edhe ato të zonave të thella malore të Shalës së Bajgores.

Kjo është mundësuar pas angazhimit të katër kompanive shtesë nga Komuna e Mitrovicës. Rasim Veseli, drejtor për infrastrukturë dhe shërbime publike, tha se trashësia e borës në shumë zona të thella ka arritur deri në dy metra.

“Shumica e fshatrave qenë bllokuar nga bora e madhe, për ç’ka jemi detyruar të angazhojmë katër kompani shtesë për pastrimin e rrugëve”. Ai sqaroi se përveç kompanisë ndërkomunale “Uniteti”, e cila është e kontraktuar nga komuna për mirëmbajtjen e rrugëve, këto ditë nga Drejtoria për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike janë angazhuar edhe “Tropiku”, Urbani”, “Haxhacom” si dhe kompania “Eurondërtimi” që është angazhuar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Tha se tashmë të gjitha rrugët kryesore janë të hapura. Drejtori Veseli bëri të ditur se fillimisht është intervenuar në lagjet dhe fshatrat e veriut, si në Suhadoll, Kroin e Vitakut, Lagjen e Doktorëve, Vidimriq, Gushavc, Vinarc etj.

“Mandej është intervenuar në Vaganicë, Vërrnicë, Kçiq, Shupkovc për të vazhduar në zonat më të thella”.  Ai sqaroi më tej se në fshatrat e Shalës trashësia e borës ka qenë shumë e madhe dhe është dashur të intervenohet me makineri të rëndë. “Është hapur rruga për Vllahi, mandej Ravohë, Rashan, Mazhiç, Vidishiç, Bajgorë, Selaç etj.

Veseli shtoi më tej se pasi janë hapur rrugët kryesore kompanitë e angazhuara kanë nisur pastrimin e borës nëpër rrugët lokale dhe nëpër lagje të fshatrave. “Në përgjithësi tani është një situatë më e mirë në të gjitha rrugët e komunës”, tha ai, duke shtuar se gjatë fundjavës është hedhur kripë edhe nëpër trotuaret e rrugëve të qytetit.

 Sa i përket rrugëve të fshatrave shqiptare të Komunës së Leposaviçit, zyrtarët komunalë sqarojnë se deri me tani është pastruar rruga prej magjistrales deri në fshatin Koshtovë. Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ajo pjesë e rrugës është pastruar nga një kompani e angazhuar nga KFOR-i, ndërsa komuna ka marrë përsipër të mbuloj shpenzimet për vazhdimin e pastrimit të rrugëve në drejtim të fshatit Cerajë dhe Bistricë. 

Ai tha se kanë bërë gati edhe një kontingjent me ushqime për banorët e këtyre fshatrave, që pritet të dërgohen me ndihmën e KFOR-it.