Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 13:58

Prishtinë (PLOTESUAR 30 janar, 20:15) Deputeti Fatmir Limaj i është kundërvënë kryetarit të Trupit Gjykues së nuk bën politikë. Ai ka kërkuar që gjykata ti mundësojë atij mbrojtje dhe një gjykim të drejtë. 

“Nuk çohem këtu të bëj deklarata politike. Unë e di ku jam, krejt çka kërkojmë është mbrojtje e drejtë”, ka thënë ai. Limaj pretendon që atij dhe bashkëluftëtarëve po i shkelen të drejtat duke mos u dhënë kohë e mjaftueshme për mbrojtje.

Avokatët e tij mbrojtës Karim Kan dhe Tahir Rrecaj kanë kërkuar shtyrjen e shqyrtimit për dy javë. Kjo kërkesë është hedhur poshtë nga trupi gjykues.

Kërkesa e avokatëve për shtyrje të procesit lidhej me ekspertizën grafologjike të ditarit të dëshmitarit X dhe po ashtu me kërkesën për përjashtimin e prokurorit Salustro nga rasti, sepse dëshmitari Zogaj ka akuzuar edhe prokurorin për turturë psikike.

Kërkesa tjetër për përjashtimin e prokurorit Salustro apo marrja në pyetje në cilësinë e dëshmitarit nga mbrojtja, duhet të bëhet tek kryeprokurori i EULEX-it më se largu nesër në ora 17 ndërsa përgjigja nga ana e tij do të jepet deri të mërkurën në ora 10. Sipas gjykatës një procedurë e tillë nuk e pengon procesin e dëgjimit të argumenteve për pranueshmërinë apo jo trë të dëshmive të dëshmitarit “X”.

“Analiza grafologjike nuk është bërë dhe nuk mund të kthehemi prapa sepse në Kosovë është e vështirë të bëhet kjo. Jashtë nuk mund të bëhet sepse duhet ta dinë gjuhën shqipe për këtë analizë. Mendoj se nuk është e mundshme. Ditarët rrodhën nga Agim Zogaj. Ai tha se unë i kam shkruar, dy dëshmitarë e konfirmuan këtë. Mua më ka mjaftuar kjo”, ka thënë Salustro duke u arsyetuar pse nuk janë analizuar ditarët.

Shqyrtimi Gjyqësor në rastin Klecka vazhdon të martën.

Portali LajmeShqip.com do ta publikojë aktvendimin e plotë për pranimin e të gjitha provave shumë shpejt. Si prova janë pranuar edhe dëshmitë e Hashim Thaçit.

*******************************

Prishtinë (PLOTESUAR 30 janar, 18:30) Gjykata ka refuzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës për shtyrjen e procesit deri në vërtetimin e të dhënave dhe përmbajtjen e ditarit të dëshmitarit kryesor të çështjes i cili nuk jeton më.

Gjykimi do të vazhdojë nesër sipas kalendarit të përcaktuar nga gjykata që në dhjetor të vitit të kaluar. Gjykata parashikon që procesit të vazhdojë deri në korrik të këtij viti.

 ******************************

Prishtinë (PLOTESUAR 30 janar, 16:40)-Ka vazhduar të hënën procedura e gjykimit të deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si “rasti Kleçka”.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër Limajt dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij, për vepra të cilat supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja.

Seanca e së hënës, në pjesën e parë të ditës ka vazhduar me shqyrtimin e dokumenteve dhe fakteve për procesin.

Pala mbrojtëse e Fatmir Limajt, që u përfaqësua nga një avokat ndërkombëtar, ka kërkuar që ky proces të shtyhet, pasi sipas avokatit Karim Kan, përmbajtja e dokumenteve kërkon përgatitje.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë avokati tjetër i Limaj, Tahir Rrecaj.

“Kemi kërkuar që ky proces të shtyhet për shkak se duhet ekspertiza e detajet e dëshmitarit X. Mbrojtja qysh në korrik të vitit të kaluar ka paraqitur një kërkesë për ekspertim, nuk është kryer ekspertiza. Ne dyshojmë në të dhënat dhe përmbajtjen e atij ditari dhe në kohën kur është shkruar ai”, tha Rrecaj.

Ai ka bërë të ditur se gjykata është duke e shqyrtuar kërkesën dhe se më vonë mund të pritet përgjigjja.

Dëshmitari kryesor, Agim Zogaj, i cili deri në vdekjen e tij është njohur si dëshmitari X, në këtë proces është gjetur i vdekur në Gjermani, më 28 shtator të vitit 2011.

Në shenjë kundërshtimi të akuzave të ngritura për krime kundër popullatës civile për nëntë ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, disa studentë të Universitetit të Prishtinës, deri sa po vazhdonin proceduar gjyqësore në Gjykatën e Qarkut, kanë  mbajtur një protestë në Prishtinë.

*****************************

Prishtinë – Ditën hënës, deputeti Fatmir Limaj dhe shokët e tij të luftës do të përballen me dëshmi të dëshmitarëve të gjallë të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kleçkë 13 vjet më parë.

Deri tani, në gjykatë janë diskutuar çështje teknike, mirëpo nga dita e sotme do të nisë dëgjimi i dëshmitarëve.  

Sipas burimeve nga Gjykata, dëshmitarët më të rëndësishëm do të jenë dëshmitari Y dhe A, por ka edhe dëshmitarë tjerë po kaq të rëndësishëm në këtë proces. Gjykata ka caktuar numrin më të madh të seancave. Pritet që të mbahet mbi 60 seanca gjyqësore që mund të zgjasin procesin deri mesin sezonit të verës.  

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj është paraqitur sërish sot në Gjykatë ku po gjykohet për krime lufte bashkë me nëntë ish-ushtarë të tij nën akuzën për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës.  

Limaj do të gjykohet bazuar në dëshmitë e Agim Zogaj, i njohur si “dëshmitari X”, i cili u gjet i vdekur në shtator në Gjermani ku kishte bërë vetëvrasje në fund të muajit shtator të vitit të kaluar. Avokatët kanë kundërshtuar dëshmitë dhe provat e tij me arsyetimin se janë të apranueshme sepse janë marrë në kohën sa Zogaj ishte i dyshuar e jo në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues.

 Përveç kësaj, sipas mbrojtjes Zogaj nuk mund të shpallet dëshmitar për vepra të dënueshme mbi 10 vjet burg.

 Akuza përfaqësohet nga prokurori italian Maorzio Salustro. Bashkë me Limajn janë të akuzuar edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Refki Mazfreku, Arben Krasniqi, Shaban Shala, Behlul Limaj dhe Besim Shurdhaj. Salustro i akuzon ata me akuza për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë në vitin 1999 në një burg të UÇK-së. (LajmeShqip.com)