Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 13:30

Tiranë – Komisioni parlamentar hetimor për shkarkimin nga detyra të zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, nisi nga puna të hënën pa praninë e përfaqësuesve të opozitës, të cilët kishin lajmëruar më parë mospjesëmarrjen e tyre në këtë komision.

Në mbledhjen e parë konstituese, të drejtuar nga kryetari Enkelejd Alibeaj, u miratua plani i veprimit dhe u ra dakord që komisioni t’i drejtohet me një shkresë zv/kryetarit të KLD-së, Spahiu, për të caktuar ditën e paraqitjes së tij.

Sipas Alibeajt, komisioni brenda një afati 3-javor do të mbledhë fakte për argumentat e deputetëve të PD-së, që inicuan nismën ligjore të shkarkimit të zv/kryetarit të KLD-së.

Ai i bëri thirrje opozitës të bëhet pjesë e hetimit parlamentar, ndërsa theksoi se komisioni do të verifikojë të dhënat, faktet dhe rrethanat për aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e postit të lartë kushtetues të zv/kryetarit të KLD-së, të cilat përbëjnë shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra.

Deputetja Paulina Hoti u caktua sekretare e komisionit, ndërsa mbledhja e radhës do zhvillohet të mërkurën më datë 1 shkurt.