Ankara – Partia Punëtore Kurde (PKK) planifikon që muajin e ardhshëm të kryejë sulme me bombë në disa qytete turke, shkruan sot gazeta turke “Zaman”.
Udhëheqësia e PKK-së u ka dhënë urdhër anëtarëve të Bashkimit të komunave kurde që të aktivizohen për përgatitjen e sulmeve me bombë deri më 18 shkurt.
Gazeta shkruan se përgatitje konkrete janë zbatuar për organizimin e sulmeve më 14 shkurt, një ditë para 13-vjetorit nga burgimi i liderit të PKK-së Abdulla Oxhalan. Aktivitete terroriste janë planifikuar për në qytetet Bingol, Dijarbekir dhe në Sirt të Turqisë juglindore.
Forcat turke të sigurisë, të cilat kanë marrë informacion për sulmet e planifikuara janë në gjendje të gatishmërisë së rritur.
Gazeta thekson se në vitet e fundit forcat ushtarake turke kanë vrarë një numër të madh të separatistëve kurdë dhe shton se vetëm në muajt e fundit në operacionet antiterroriste janë vrarë shumë anëtarë të PKK-së, midis të cilëve edhe udhëheqës të organizatës terroriste.
Monday, 30 January 2012 10:28