Lajme Shqip Sunday, 29 January 2012 16:21

Prishtinë-Ndërmjetësuesi i BE-së në bisedimet Kosovë- Serbi, Robert Cooper e ka konfirmuar vizitën e tij për javën e ardhshme në Prishtinë. Ai për këtë vizitë është ftuar nga kryenegociatorja Edita Tahiri.

Insistimi i Tahirit që Cooper të vijë në Prishtinë, ka të bëjë me faktin që të kërkohet nga ai, që të bëjë më shumë presion karshi Serbisë për zbatimin e tërësishëm të marrëveshjeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe për tregtinë e lirë, por edhe të insistojë që Serbia të heqë dorë nga kërkesa për përfaqësimin e Kosovës në rajon nën Rezolutën 1244.

Kështu ka thënë për “Zëri” zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri. “BE duhet t’i bëjë presion më të madh Serbisë që ajo të zbatojë marrëveshjet e deritanishme dhe të pranojë realitetin e Kosovës. BE duhet të bëjë presion për shkak se vetë ajo mban përgjegjësi për stabilitetin në rajon”, tha Tahiri.

“E kam ftuar, dhe ai e ka konfirmuar që do të vijë javën e ardhshme. Video linku është një mundësi e mirë komunikimi, por ndryshe do t’i shfaqim argumentet e pozicionin tonë kur të bisedojmë direkt”, shtojë Tahiri.

Kryenegociatorja Tahiri ka shtuar se Kosova dhe Serbia vazhdojnë të jenë shumë larg pajtimeve me njëra- tjetrën për marrëveshjen e përfaqësimeve rajonale, për ç’gjë ajo ka marrë premtime nga Cooper se do të punojë që të rrihet një mirëkuptim.

Tahiri përsërit se Kosova në përfaqësimet rajonale do të marrë pjesë si shtet i pavarur dhe sovran, me simbolet e saj shtetërore, e jo me Rezolutën 1244, e cila tashmë i përket historisë. Sipas saj, Kosova do të prezantohet me një fusnotë, me anë të së cilës tregohet realiteti që atë e kanë njohur shumica e vendeve rajonale.

Por, për më detajisht rreth përfaqësimit të Kosovës, se si do duket kjo fusnotë, do të kuptohet gjatë muajit shkurt, pasi që në këtë drejtim është duke punuar Cooper, vazhdoi Tahiri.