Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 23:21

Lugina e Preshevës- Udhëheqësi i opozitës shqiptare, Edi Rama, theksoi nevojën e një vëmendje më të madhe të shtetit shqiptar për arsimimin dhe të drejtat e shqiptarëve në Preshevë.

Gjatë takimit të tij me banorë të Preshevës, Rama theksoi si pozitiv faktin që Parlamenti Evropian nëpërmjet rezolutës së 9 janarit 2012, ka vënë theksin në problematikën e shqiptarëve që banojnë në luginën e Preshevës, problematikë që lidhet ngushtë me gjendjen sociale dhe ekonomike të tyre.

“Nga ky pikëvështrim, qeveria e Beogradit duhet të angazhohet seriozisht për përmbushjen e detyrimeve ndaj shqiptareve që banojnë në Luginën e Preshevës dhe ndaj Bashkimit Evropian,” tha Rama.

Ai po ashtu u shpreh se Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se shteti shqiptar duhet të mbrojë dhe të përkujdeset për të drejtat e popullit shqiptar, kudo ai banon. “Kësisoj, duhet angazhim dhe vëmendje më e madhe për shqiptarët që banojnë në Luginën e Preshevës,” u shpreh Rama.

Duke i lidhur zhvillimet në Preshevë me Kosovën, Rama tha se “tashmë që Kosova është një republike e pavarur dhe një shtet sovran, tashmë që çështja e Kosovës është një çështje e zgjidhur, angazhimi i Shqipërisë ne raport me shtetin serb duhet të përqendrohet tek problematika e luginës së Preshevës”.

“Duke qenë se gjendja e shkollave në Luginë është e vështirë (pak shkolla e shumë nxënës, pra shkolla të mbipopulluara), duke qenë se në Luginë mungon një maternitet dhe nënat e Preshevës detyrohen të sjellin në jetë fëmijët e tyre 70 km larg Luginës, Partia Socialiste do propozojë vendosjen e një fondi të veçantë nga parlamenti shqiptar për të ndërtuar një shkolle dhe një maternitet në Preshevë”, tha Rama.

Ai foli gjithashtu për nevojën që mbështetja financiare përmes bursave të studimit për studentet nga Lugina, qe ndjekin studimet e larta ne Shqipëri, të shtohet. Rama propozoi ngritjen e një universiteti të Evropës Juglindore në Preshevë, ku njësoj si në Tetovë, të mund të studiohet në gjuhen shqipe, angleze dhe serbe.

Rama theksoi se opozita shqiptare përmes programit të ri për një rilindje shqiptare, do te riorganizohet shërbimi konsullor, në mënyrë që të hapet një konsullate shqiptare në Presheve, për te qëndruar me pranë dhe për të ndihmuar banoret e Luginës. Ai propozoi një nisëm mbarë ballkanike për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në rajon.

Kryesocialisti e ka shoqëruar të gjithë udhëtimin me mesazhe të postuara në Twitter duke folur për mikpritjen që i kanë bërë banorët dhe për varfërinë e tyre. “Mikpritje befasuese dhe bashkëbisedim i paharrueshëm me qytetarët e Preshevës. Fatkeqësisht qindra vetë s’mundën të hyjnë në sallë”, shkruan ai. Më tej thotë se “gjendja ekonomike sociale e rëndë. Rama shpreh opinionin e tij dhe për takimin me qytetarët, ku ai prezantoi edhe librin e tij Kurban. “Në rend të ditës idetë e programit tonë për një Rilindje Shqiptare mbi mbrojtjen e shqiptarëve kudo jetojnë e posaçërisht në këtë luginë. Për këto e më shumë do vazhdojmë bisedën edhe me të zgjedhurit vendorë, njerëz shumë mikpritës me halle pafund në administrimin e komunave”, shkruan Rama në Twitter.