Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 15:58

Prishtinë- Mobilizimi i kapaciteteve për përmbushjen e axhendes evropiane, u theksua në takimin e gjashtë të  Komitetit Punues për Integrim Evropian të Kosovës, ku u diskutua rreth fillimit të dialogut për liberalizmin e vizave dhe për adresimin e sfidave të identifikuara në Raportin e Progresit 2011.

Gjatë takimit të zhvilluar dje, ministrja kosovare e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, shprehu përkushtimin e plotë të qeverisë në zbatimin e reformave të parapara me objektivat e kryeministrit për vitin 2012 dhe në Planin e Veprimit për Partneritetin Evropian.

Ministrja Çitaku nënvizoi se viti 2012 do të karakterizohet me kryerjen e detyrave të shtëpisë, duke u bazuar në dy shtylla kryesore: procesin e liberalizimit të vizave dhe avancimin e marrëdhenieve tregtare me Bashkimin Evropian.

Sekretarët e përgjithshëm të ministrive raportuan rreth progresit dhe sfidave në kuadër të përmbushjes së obligimeve të ministrive të parapara me kornizen strategjike në fushën e integrimit evropian.

Komiteti Punues për Integrim Evropian është forum i udhëhequr nga Ministrja e Integrimit Evropian, ku marrin pjesë drejtuesit e lartë administrativë të institucioneve shtetërore.