Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 15:00

Tiranë – Institucionet kulturore në Tiranë parashikojnë këtë fundjavë dhe në javën në vazhdim disa aktivitete për  publikun. Disa prej tyre janë:

Teatër

Teatri i Metropolit do të shfaqë sot dhe nesër, ora 20:00, dramën “Shtëpia e Bernarda Albës”, të regjisorit Kiço Londo, në sallën “Shekspir”. Vepra e Federiko Garsia Lorkës do të interpretohet nga Luiza Xhuvani, në rolin e protagonistes, ndërkohë që në role të tjera interpetojnë aktoret Roza Anagnosti, Erjona Kakeli, Adriana Tolka, Mirela Naska, Ermira Hysaj, Esela Pysqyli dhe Taulanda Jupi. Pesë vajza në kërkim të pasionit erotik të ndrydhur. Një Bernardë, e obsesionuar nga konceptet e nderit dhe traditës. Një gjyshe e burgosur nga e bija. Në një ambient uji, vajzat ndjellin dëshirat seksuale.

Teatri Kombëtar do të shfaqë këtë të shtunë dhe të dielë, ora 19:00, shfaqjen “Vdekja dhe Virgjeresha” të regjisorit Kliton Hoxha, me aktorët Enkela Braho, Neritan Liçaj dhe Saimir Braho. Vepra e Ariel Dorfman ngjarjet i zhvillon në një shtëpi bregdetare, jashtë qytetit. Autori e vendos ngjarjen në një vend të Amerikës Latine të papërcaktuar, për të simbolizuar të gjitha demokracitë e brishta postdiktatoriale, pikërisht në natën kur Gerardo, një jurist, është emëruar në stafin e komisionit hetimor të krimeve dhe përndjekjeve të së kaluarës së afërt. Gruaja e tij, Paulina, një ish e përndjekur, është një nga viktimat e torturuara, pjesë e krimeve të cilat pretendohet të dalin në dritë me angazhimin e këtij komisioni.

Teatri Kombëtar i Komedisë shfaq këtë të shtunë dhe të dielë, ora 19:00, komedinë e Stefan Çapaliku “XXL TV”, me regji të tij dhe të Naun Shundit. 7 aktorë do të luajnë 11 personazhe, të cilat ndryshojnë dhe transformohen vazhdimisht. Bujar Asqeriu, Mehdi Malka, Olta Daku, Lulzim Zeqja, Flaura Kureta, Marsela Lena dhe Roland Saro janë aktorët që me anë të lojës së tyre do të sjellin për publikun mënyrën se si manipulohet e vërteta nga media.

Arte pamore

Në Galerinë Komëbëtare të Arteve qëndron e hapur ekspozita-konkurs “Onufri”, ku 22 artistë me punimet e tyre prezantojnë pikturën moderne shqiptare. Kuratori i ekspozitës, Alban Hajdinaj, është përpjekur të thyejë ritualin e “Onufrit”, që përqëndrohej tek artistët e kohëve të fundit, duke u kthyer pas në kohë për të gjetur komponentë të modernes në fotografitë e viteve ’20-’30 apo në pikturat e viteve ’60-’90. GKA ka përzgjedhur jurinë që do të zgjedhë veprën më të mirë të këtij viti, e cila do të mblidhet në datën 31 janar dhe në 1 shkurt do të shpallet fituesi.

Teatër për fëmijë

Teatri i Metropolit për fëmijë do të shfaqë, që prej ditës së sotme, çdo të shtunë dhe të dielë, ora 10:30, premierën “Shkopi magjik”, nga regjisorja Adelina Muça, në sallën “Çehov”. Në këtë vepër interpretojnë vetëm katër personazhe. Rikthehet gjyshja e përrallave. E veshur me përparësen e zakonshme të shtëpisë, me shallin mbi supe dhe shkopin e saj “magjik”, në të cilat ka mbledhur të gjithë dashuritë e saj, që në vetvete janë gjithë emrat e familjes. Në veprën shqiptare, e shkruar nga autorja Edlira Gogu, bashkë me gjyshen performojnë edhe dy nipërit e saj çamarrok, të cilët përveçse luajnë, bëjnë dhe shumë rrëmujë, e nuk bëhen produktiv në jetën e tyre të përditshme.

Cirk

Arena e cirkut të Metropolit çdo të shtunë dhe të dielë, vazhdon të shfaqë deri në datën 30 qershor, ora 11:00 pjesën “Thesaret e cirkut”. Shfaqja ka një larmi numrash të interpretuar nga artistët e mirënjohur si dhe artistet më të rinj të trupës së cirkut. Në programin e saj janë  përfshirë të gjithë zhanret tradicionale të cirkut  si numrat e shpejtësisë, numrat me kafshë, xhonglimi, kllounata, akrobacia e numrat e lartësisë.

Filma

Kinema “Millennium” vazhdon të shfaq premierën e filmit “The girl with the dragon tattoo”, nominuar per 2 Golden Globe. Një film nga David Fincher me Rooney Mara dhe Daniel Craig, që bazohet në një nga pjesët e triologjisë bestseller “Millennium Series” të shkrimtarit dhe gazetarit suedez Stieg Larsson. Kjo kinema shfaq gjithashtu edhe komedinë “Jack& Jill”, me protagonist aktorin Adam Sandler, madje jo një, por dy herë, pasi aktori interpreton këtu rolet e Jack dhe të Jill.