Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë, duke iu shtuar stendave të librarive në kryeqytet.
“Plepat berlinezë”, nga Anne B. Ragde. Një roman i shkruar bukur e me mjeshtëri, i mbushur plot mistere, është portreti i mrekullueshëm i një familjeje, e cila mbart në vetvete shumë të pathëna. Një eksplorim i sofistikuar i familjes nga një romanciere norvegjeze, fituese e disa çmimeve. Peizazhi i mrekullueshëm i Norvegjisë Veriore është në kontrast me personazhet e ngurta të romanit. Stili mjaft i spikatur dhe i përpunuar me kujdes i romanit është mënyra e vetme për të depërtuar përtej karaktereve të forta e të paepura në dukje të tre vëllezërve, për të arritur në brendësi të shpirtit të tyre. Libri është një botim i shtëpisë botuese “Dituria” dhe kushton 800 lekë.
“Refuzimi i shkrimit” nga Moikom Zeqo. Ky botim vjen si pjesë e kolanës “Eseistikë”. Në të vërtetë është një përmbledhje ku përfshihen një numër tregimesh të mirëfillta, skica dhe proza eseistike, me një fjalë tekste që nuk mund të klasifikohen plotësisht në zhanre të caktuara, por që kanë një modernitet të theksuar. Janë proza të shkurtra që datojnë nga viti 1970 deri në vitin 2011″. “Refuzimi i shkrimit” ka të përbashkët me librat e mëparshëm stilin e autorit, por në shumë kuptime është i ndryshëm dhe nuk është i ngjashëm me librat e mëparshëm. Libri i Moikom Zeqos është botuar nga “Dituria” dhe kushton 1000 lekë.
“Shtatë australianët e vegjël” nga Ethel Turner. Janë shtatë fëmijë, që futen në telashe nga më të ndryshmet, megjithëse përpiqen shumë që të sillen mirë. Të renditur nga mosha një vjeç e deri në gjashtëmbëdhjetë, fëmijët Ullkot pothuajse janë lënë që të veprojnë sipas qejfit. Njerka e tyre, Esteri, që ka lindur vetëm më të voglin e tyre, është vetëm njëzetë vjeç dhe nuk ka përvojë në rritjen e fëmijëve. Babai i tyre është ushtarak dhe pret që fëmijët e tyre të sillen mirë, ndërkohë që gati nuk merret fare me ta. Romani është botuar nga “OMSCA-1” dhe kushton 500 lekë.
“Spastrimi” nga Sofi Oksanen. Libri është një përmbledhje e shkurtër e një kapitulli të harruar të historisë së Europës Lindore. Një roman me përmbajtje groteske dhe origjinale, ku njerëzit asfiksohen në dhoma të mbyllura, kufomat fshihen poshtë dërrasave të dyshemesë dhe motrat ndiejnë xhelozi për njëra-tjetrën. Romani është botuar nga “Dituria” dhe kushton 800 lekë.
“Dyzet rregullat e dashurisë” nga Elif Shafak. “Dyzet rregullat e dashurisë” trajton temën e dashurisë, Lindjes e Perëndimit, të shkuarës dhe të tashmes, shpirtërores e fizikes, të gjitha nën dritën e Rumiut dhe Shamsit të Tabrizit. Libri është shitur në më shumë se 600 mijë kopje, duke zënë vendin e librit më të shitur të të gjitha kohërave në Turqi, kurse në Francë mori çmimin “ALEF” si libri më i mirë i letërsisë së huaj. “Dyzet rregullat e dashurisë” është botuar nga “Bota Shqiptare” dhe kushton 1000 lekë.
Saturday, 28 January 2012 11:30