Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 09:20

Shkodër – Rikthimi i komedisë alternative “Big brother Shkodra” mbrëmjen e djeshme në skenën e teatrit “Migjeni” është shoqëruar me një interesim të madh nga ana e artdashësve shkodranë, të cilët, ashtu si edhe në mesin e vitit të kaluar, janë treguar shumë të ndjeshëm duke prenotuar biletat disa ditë përpara fillimit të shfaqjes.

Fatbardh Smaja, bashkë regjisor i kësaj komedie,  thotë se suksesi që po korr komedia e vënë në skenë së bashku me kolegun e tij, Arjan Çuliçi, tregon se publiku shkodran i kërkon të tilla subjekte, ndaj edhe në të ardhmen kanë planifikuar edhe të tjera spektakle të kësaj natyre. E ndërthurur si një reality show, që improvizohet në skenën e teatrit “Migjeni”, krahas interpretimit të aktorëve të humorit, Zyliha Miloti, Drande Xhaj, Zef Deda, Besnik Çinari, por edhe ato të dramës, si Agron Dizdari, Merita Smaja, etj, shfaqja krijon një atmosfere të ngrohtë tek publiku.

Pjesë e këtij spektakli, që u përcoll tek spektatori në mbi dy orë, ishin edhe këngëtaret Dorina Garuci, Mukades Çanga, Rezarta Smaja, etj, të cilat morën duartrokitje të shumta nga salla. Suksesi që po sjell kjo komedi, duke ‘ngrohur’ jetën artistike të qytetit në këto ditë të ftohta janari, ka detyruar organizatorët të mendojnë për shtyrjen e ditëve të shfaqjes.

Një gjë të tillë e konfirmon për ATSH-në edhe drejtori i teatrit “Migjeni”, Edmond Angoni, sipas të cilit, ditën e nesërme pritet të ketë një vendimmarrje për një gjë të tillë.