Lajme Shqip Friday, 27 January 2012 15:51

Kriza greke ka prekur edhe marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe fqinjit jugor. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë vitit 2011 pesha e Greqisë si partner tregtar pësoi një rënie të ndjeshme.

Në vitin 2010, Shqipëria blinte nga Greqia 13.1% të importeve totale, ndërsa në vitin 2011 importet greke ranë në 10.6%. E njëjta tendencë u vërejt edhe në eksportet shqiptare drejt Greqisë, që në vitin 2010 zinin 5.4% të totalit, ndërsa në vitin 2011 ranë në 5.1%.

Ndonëse Bashkimi Europian ngelet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, me 72% të eksporteve dhe 64% të importeve, gjatë vitit 2011 u vërejt një rritje e këmbimeve tregtare të Shqipërisë me vendet e rajonit, veçanërisht në kahun e eksporteve.

Eksportet drejt vendeve fqinje u rritën me afro 50% në vitin 2011 dhe arritën të zinin afro 10% të totalit, nga 8% që zinin një vit më parë. Në veçanti, Shqipëria arriti vitin e kaluar të rrisë eksportet drejt Kosovës në 7.5% të totalit, nga 6.2% që ishin një vit më parë.

Vendosja e masave të reciprocitetit në muajin Korrik, që çoi në një bllokim të përkohëshëm të mallrave serbe, nxiti rritjen e këmbimeve tragtre mes Shqipërisë dhe Kosovës.