Rritja e deficitit tregtar për vitin 2011 është shkaktuar në masën 50% nga ndryshimi i bilancit të energjisë elektrike. 
Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë këtij vitit 2011 detyrimi për të importuar energji ka rënduar ndjeshëm deficitin tregtar të vendit.
Duke ju referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave, për vitin 2011, deficiti tregtar i Shqipërisë u rrit me rreth 16% dhe preku vlerën e afro 345 miliardë lekëve. Nga 47 miliardë lekë që ishte rritja vjetore e deficitit, rreth 23 miliardë vlerësohet të jetë shkaktuar nga rënia e eksportit dhe rritja e importit të energjisë.
Shqipëria është një vend thellësisht i varur nga rezervat hidrike për prodhimin energjisë dhe rënia e prurjeve të lumenjve ka bërë që gjatë vitit të kaluar prodhimi të bjerë ndjeshëm.
Për gjysmën e parë të vitit 2011, prodhimi i energjisë në vend shënoi një rënie vjetore me 45%. Për gjysmën e dytë të vitit ende nuk ka të dhëna përfundmitare, por vlerësohet se gjatë muajve të fundit të vitit 2011 prodhimi ditor i energjisë nuk i kaloi 6 milionë kilovat energji, çka mbulon rreth 25% të nevojave ditore.
Në muajin dhjetor, qeveria shqiptare miratoi një garanci me vlerë 4.5 miliardë lekë për Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare, me qëllim marrjen e kredive për të mundësuar importin energjisë.
Friday, 27 January 2012 15:41