Lajme Shqip Friday, 27 January 2012 14:21

Tiranë- Komisioni i reformës zgjedhore miratoi të premten me unanimitet, amendamentet që kanë të bëjnë me kapacitetet e financimit të fushatës elektorale, të subjekteve politike.

Sipas burimeve zyrtare nga Kuvendi, këto amendamente kanë të bëjnë me kapacitetet e financimit të fushatës elektorale të subjekteve politike. Ato konsistojnë në reformimin e parimeve dhe kritereve të financimit të fushatës, si dhe burimeve publike dhe private të saj.

Nga amendimi i shtatë neneve të kodit zgjedhor dhe konkretisht të pjesës së VII-të të tij, që lidhet me financimin e zgjedhjeve, përfituese do të jenë partitë e vogla, të cilat, edhe nëse nuk marrin mandate parlamentare, do të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit.

Paketa e miratuar sot është e para në kuadrin e ndryshimeve të domosdoshme në ligjin zgjedhor të rekomanduar nga OSBE/ODIHR në raportin përkatës ku përfshihen 53 rekomandime.

Në mbledhjen e sotme morën pjesë dhe ekspertët e huaj Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, të ngarkuar nga OSBE/ODIHR, për të asistuar në veprimtarinë e tij komisionin e posaçëm zgjedhor.