Tiranë- Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi të enjten me kryetarin e komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, u shpreh për nxitjen e marrëdhënieve të gjithanshme me këtë rajon, në kuadër të thellimit të marrëdhënieve me Republikën e Maqedonisë.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi potencialet e mëdha që komuna Tetovë ka në bashkëpunimin e gjithanshëm me Tiranën, por dhe me komuna e bashki të tjera të Shqipërisë. “Tetova ka një vend parësor në historinë tonë kombëtare dhe në këto vite ka njohur zhvillime shumë të rëndësishme në fushën e arsimit, ekonomike etj”, tha Berisha.
Kryekomunari Bexheti e njohu kryeministrin me projektet ambicioze për zhvillimin e mëtejshëm të Tetovës, duke u përqëndruar veçanërisht në projektet e zhvillimit të turizmit dimëror në këtë rajon, që është një nga potencialet më të mëdha në Ballkan.
Në takim u bisedua dhe për nxitjen e përbashkët të investimeve në të gjitha fushat, për bashëpunimin në kulturë, arsimi dhe për aktivitetet e përbashkëta në festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë, si një festë e të gjithë shqiptarëve dhe si një moment i rëndësishëm për të përcaktuar vizionin e tyre drejt së ardhmes në BE.
Kryeministri Berisha e siguroi z. Bexheti se qeveria shqiptare, në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera që ka me Maqedoninë, do të intensifikojë marrëdhëniet e gjithanshme me komunën e Tetovës dhe komunat e tjera me popullsi shqiptare në kuadër të thellimit të marrëdhënieve me Republikën e Maqedonisë.
Nga ana e tij, z. Bexheti siguroi se Komuna që ai drejton është e hapur dhe po punon për krijimin e kushteve sa më të favorshme për investitorët dhe bizneset nga Shqipëria që duan të investojnë në Tetovë.
Friday, 27 January 2012 14:13 