Viti 2011 rezultoi i vështirë për industrinë e sigurimeve. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se tregu u rrit me vetëm 1.8% krahasuar me një vit më parë. Kjo është norma më e ulët e rritjes që ka regjistruar tregu i sigurimeve në vitet e fundit.
Përveç gjendjes të përkeqësuar të ekonomisë, rritja modeste e tregut u ndikua edhe nga liberalizimi i tarifës së sigurimit të detyrueshëm motorrik në mesin e vitit 2011. Kjo bëri që kompanitë e sigurimeve të ulnin çmimet në mënyrë drastike.
Të ardhurat nga sigurimi i detyrueshëm motorrik për vitin 2011 pësuan një rënie vjetore me 24%. Segmenti i tregut me ecurinë më pozitive gjatë vitit 2011 ishte ai i sigurimit të jetës, që u rrit me 25% krahasuar me vitin e mëparshëm
Tregu i jetës gradualisht po rrit peshën e vet në industrinë e sigurimeve dhe për vitin 2011 zinte 12.7% të të ardhurave, nga 10.3% që zinte një vit më parë. Rënia e të ardhurave ka bërë që kompanitë e sigurimeve të paguajnë më pak dëme. Vlera totale e dëmeve të paguara për vitin 2011 ishte 5.5% më e ulët, ndonëse numri i dëmeve u rrit me 10.6%.
Kjo e uli pagesën mesatare për dëm me afro 15% krahasuar me vitin 2010. Raporti mes dëmeve dhe primeve ra në 25.8%, nga 27.9% që kishte qënë për vitin 2010.
Shqipëria ngelet ndër vendet me raportin më të ulët mes dëmeve dhe primeve në Europë. Kjo tregon se në Shqipëri kompanitë e sigurimeve paguajnë më pak për dëmet krahasuar me vendet e tjera.
Thursday, 26 January 2012 20:00